Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një deklaratë për mediat se ndihet i kënaqur me rezultatin e arritur deri tani në zgjedhjet lokale, nga partia e tij, Levizja Vetëvendosje. Ai u shpreh se priste rezultat tjetër, por është optimist për raundin e rradhës të balotazhit. Vetëvendosja është në garë për 12 komuna dhe nuk ka fituar asnjë pa balotazh deri tani.
“Si kryetar i VV-së jam i kënaqur që shoh kaq kandidat në balotazh, siç jam i kënaqur që po shoh kaq shumë asamblistë në tërë Kosovën. Do të punojmë për qytetarët, do të shohim sesi të zgjerojmë mundësitë që të shtojmë kujdesin ndaj qytetarëve. Ndryshimi i bërë realitet në rrafshin qytetar, nuk është vetëm plane, por nënkupton plane aktuale, plane që mund të realizohen. Jam i etur të bashkëpunoj me secilën komunë që vlera tona të përbashkëta të arrijnë në çdo shtëpi. Do të qëndroj pranë çdo kryetari komune që dëshiron të bëjë reforma. Urime të gjithë kandidatëve. Kjo është një festë e madhe e demokracisë. Kandidatët e Vetëvendosjes do të jenë të angazhuar në të gjithë territorin në ditët në vijim. Qysh sonte do të takohem me kandidatët e Vetëvendosjes që janë në balotazh dhe do të bëjmë planet tona se si të ecim më tej. Normalisht, kam pritur rezultat tjetër, por do të analizojmë pse ka ndodhur kjo.
Dje u mbajtën zgjedhjet lokale, ato ishin të lira, demokratike dhe fer, pa ndonjë incident. Të gjitha ankesat do të trajtohen nga organet përkatëse. Si kryeministër, jam fort krenar që kishim miq evropian që vëzhguan demokracinë tonë, që mund të shërbejë si vend shembull në rajon dhe jo vetëm. Përveç xhudos, filmit dhe programit të vaksinimit, Kosova shkëlqeu edhe në procesin zgjedhor.
Arben Vitia është liruar nga detyra dhe është në garë për Prishtinën, në balotazh ku prijmë qartazi, besoj që ai do të jetë kryetar i kryeqytetit dhe me datën 15 nëntor do ta marrë detyrën aty ku duhet dhe ku kanë thënë edhe qytetarët e kryeqytet pra si kryebashkiak i Prishtinës.
Kam pritur rezultat tjetër në Mitrovicë, edhe këtë do ta analizojmë, mbase nuk e kemi ndihmuar mjaftueshëm kandidatin tonë Agim Bahtiri të cilin e falënderoj përzemërsisht për kontributin dhe gjithashtu për besnikërinë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe për korrektësinë e tij në raport me mua si kryetar dhe kryeministër” tha kryeministri Kurti.
Arben Vitia, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, sipas rezultateve preliminare është i pari me 35.433 vota apo 42.33%. Vitia do të garojë në balotazh më 14 nëntor me Përparim Ramën e LDK-së, i cili mori 24.572 vota apo 29.35%.