Gashi flet për aderimin në PDK: E ndjeva obligim t’i mbrojë vlerat

E mërkurë, 16 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Profesori universitar Ibrahim Gashi ka bërë me dije se proceset politike dhe ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova e kanë shtyrë t’i rikthehet skenës politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka treguar se zgjodhi PDK-në për ta vazhduar karrierën e tij politike për dy arsye: së pari, se PDK-në e konsideron parti kontribuuese të çlirimit, të pavarësimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe, së dyti, pasi sot shumë çlirimtarë nga regjioni i Drenicës, që dhanë shumë për lirën dhe luftën, po akuzohen me akuza të sajuara. “Në këtë situatë unë kam ndier obligim të bashkohem me partinë e cila më së miri mund dhe do t’i mbrojë këto vlera”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se nuk sheh në horizont ndonjë alternativë politike të re apo ekzistuese që do ta rrezikonte vendin e parë për PDK-në. “Në bazë, jo vetëm të sondazheve të publikuara, por edhe të vrojtimeve të mia derisa kam qenë i papërfshirë në PDK, nuk shoh se duket në horizont ndonjë alternativë politike e re apo ekzistuese që do ta rrezikonte vendin e parë për PDK-në. Pra, në zgjedhjet e ardhshme e shoh, pa diskutim, PDK-në forcën e parë politike në vend”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se tash mbetet në vlerësimin e lidershipit të PDK-së se çfarë angazhimi do të ketë në këtë parti. “Unë do të kontribuoj për PDK-në si një kuadër me një përvojë modeste dhe anëtarësia dhe lidershipi i partisë do të vlerësojnë se ku duhet të jem unë”, është shprehur Gashi.

I pyetur nëse do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar pas procesit të riformatimit të Qeverisë, ai ka thënë se nuk ka shprehur asnjë kërkesë të tillë me rastin e vendimit të tij për t’iu bashkuar PDK-së.