Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në seancën e sotme në të cilën në rend dite është interpelanca ndaj tij, mbajti fjalim duke thënë se “çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të jetë mësuar të japë llogari për veprimet e tij, por secili duhet gjithashtu të jetë i gatshëm edhe të dëgjojë”.
Gashi në fjalimin e tij tha se interpelanca ndaj tij e dorëzuar nga partia “E Majta” ka qëllime dhe motive ideologjike.
“E Majta është partia që ideologjikisht, me aspektin e vet social, duhet të bashkojë dhe ta ushqejë popullin me idenë e barazisë. Kështu është teorikisht, por, për fat të keq, në realitet është partia që shumë shpesh me qëndrimet e saj profilizohet në ekstremin e djathtë…Të jesh i zëshëm, të jesh i dukshëm, është plotësisht legjitime, por të krijosh përçarje në një vend ku të gjithë luftojmë për barazi është keq për vendin dhe për rininë që nuk duhet të entuziazmohet me patriotizmin e rremë të mbështjellë me kuazi-nacionalizëm. Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në, qytetarët flasin për bashkëjetesën, të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë e në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti flet kundër tre shtyllave themelore të shoqërisë sonë – orientimin tonë euroatlantik, përkushtimin tonë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoninë ndëretnike. Është shumë keq kur luan me kartën e nacionalizmit, të gjykimit të tjetrit, pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet. Por, sot jam këtu që nga kjo foltore ta shpreh qëndrimin tim. Investimi për të ardhmen e këtij vendi, ku dikush dëshiron ndarje me çdo kusht, mund të përfundojë me pasoja fatale për të gjithë ne”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Ndryshe, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Frontit Europian thanë se nuk do ta mbështesin interpelancën ndaj Afrim Gashit.