Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar idenë për formimin e një ekip uniteti për çështjen e dialogut, pasi sipas tij për këtë punë është e ngarkuar Qeveria e Kosovës.
Gashi thotë se përveç se është devijuese formimi i ekipit të unitetit, konsiderohet edhe provokim lufte çështja e lëvizjes së kufijve.
”Ne kemi kërkuar reciprocitet për Luginën e Preshevës në vitin 2013… Si mund të formohet një ekip i unitetit në mënyrë të njëanshme? Pse duhet të ketë këso lloj ekipesh kur ka institucionet e vendit që mund të merren me to… Pse duhet të ketë një ekip tjetër, kur Qeveria e Kosovës është e ngarkuar të merret me këto çështje”, ka thënë Gashi, në Zona B të Klan Kosovës.
Deputeti Gasgi ka thënë se “nëse kryesuesi i qeverisë është i zënë me çështje tjera e jo për çështje madhore, atëherë duhet shkarkuar”.
”Tendenca e ndërtimit të shteteve nacionale kanë shkaktuar luftëra. Duhet të jemi të mençur në këto drejtime. Në këto rrethana duhet të veprojmë strategjikisht… Interesi shqiptar, parimisht mbrohet duke ruajtur stabilitetin e të mos provokohet luftë… Fakti që kërkohet të lëvizen kufijtë, është provokim i luftës”, tha Gashi.