Gazeta gjermane: Manastiri i Deçanit pritet t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka publikuar një artikull rreth vendimit të fundit për çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit.

FAZ shkruan se në një konflikt që zgjati prej më shumë se një dekade për pronën e një manastiri ortodoks serb në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka ndërhyrë në favor të murgjeve.

“Në qendër të këtij konflikti ishin 24 hektarë pyll dhe tokë bujqësore në afërsi të Manastirit të Deçanit në Kosovën perëndimore. Tokat i takonin Manastirit sipas disa vendimeve të gjykatave të larta të drejtësisë kosovare. Por, megjithëse Gjykata Supreme (2009) dhe Gjykata Kushtetuese (2016) kishin konfirmuar pretendimin e Manastirit për tokën, Zyra e Kadastrës nuk pranoi të bënte regjistrimet e tokës në favor të kishës për arsye politike”, shkruan e përditshmja gjermane.

Sipas FAZ, mospërfillja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjatë këtyre viteve ka penguar shanset e suksesit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të cilin e kishte dorëzuar në maj të vitit 2022.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi Këshillin e Evropës se Zyra e Kadastrës, me udhëzim të qeverisë, kishte bërë regjistrimet e tokës në favor të manastirit.

FAZ shkruan se në të njëjtën kohë, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strasburg i dërgoi Këshillit të Evropës një kopje të certifikatave të reja të kadastrit.

“Pritet që Asambleja Parlamentare i Këshillit të Evropës të votojë tani për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse kjo ndodh, Komiteti Ministrave i Këshillit të Evropës mund të marrë vendimin përfundimtar për pranimin”, shkruan gazeta gjermane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të qartë të mërkurën se pa ndërhyrjen në favor të manastirit, Kosovës do t’i ishte bllokuar rruga për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës, edhe pse ai ende e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese si “të çuditshëm dhe të pajustifikueshëm”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme