Lajmi.net më poshtë po ua sjellim shkrimin e plotë:
E pranoj se trishtohen të shkruaj për njerëz të tillë si Misha Vaciq, një fashist i përbetuar, deri para dy ditësh zyrtar i Qeverisë së Serbisë. Nuk kam as vullnet që të përqesh vagabond siç është ai, sepse ajo do ta zhvendoste vëmendje nga pyetja kryesore: si është e mundur që ekstremistë të tillë të punojnë çfarëdoqoftë në cilindo sektor të institucioneve shtetërore.
I mbaj mend banditët e tillë edhe nga koha kur kam qenë kryeredaktorë dhe kur, sikur në filmat me mafiozë, më dërgonin letra kërcënuese duke më quajtur tradhtar të cilin duhet gjykuar një herë e përgjithmonë. As asokohe nuk u kam kushtuar vëmendje të theksuar.
Këtij “fashisti të etur” i përngjanë edhe Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Punës së Serbisë, Aleksandar Jabllanoviq, i cili për detyrë kishte edhe lartësimin e figurës së kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Jabllanoviq është zëvendësuar sepse vëllai i tij ishte arrestuar për shkak të trafikimit të heroinës në kohën kur kishte qenë duke ngisur makinën qeveritare. E njëjta pyetje ngrihet edhe për rastin në fjale: çfarë bëjnë njerëz të atillë në institucionet shtetërore?
Përgjigjen më të mirë në këtë pyetje e japin dy rastet më të freskëta: i pari është tribuna publike në fshatin Beshkë të Serbisë, ndërkaq e dyta është pritja në kabinetin e presidentit Tomisllav Nikolliq.
Tribuna e subjektit në pushtet, Partisë Përparimtare të Serbisë, në Beshkë, në të cilën mysafir nderi ka qenë Veselin Shlivançanin, i dënuar për krime lufte, është ndërprerë pas vërshëllimave të njerëzve të guximshëm – aktivisteve dhe aktivistëve të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Si epilog, aktivistët e rrahur dhe të përjashtuar përfunduan në Emergjencë, e më pas u shpallën fashistë, jo vetëm nga subjekti në pushtet dhe mediat e afërta me të, por gjithë atë veprim të “përparimtarëve” e justifikoi me deklaratën e tij edhe vetë kryeministri Vuçiq. Ai ka thënë se nuk është e hijshme që ata i ndërprenë debatet e të tjerëve dhe se organizata e tyre financohet nga jashtë, gjë që nuk është e kundërligjshme, siç thotë kryeministri, por që “duhet ditur”. Kjo “duhet ditur” nuk asgjë tjetër veç se një thirrje të gjithë ekstremistëve që t’i rrahin aktivistët edhe në të ardhmen kudo që të protestojnë kundër dhunës apo ekstremizmit të çfarëdo lloji.
Ngjarja e dytë që është zhvilluar në kabinetin e presidentit të Serbisë pati jehonë më të gjerë dhe ndërkombëtare. Kështu, të gjitha agjencitë botërore raportuan se presidenti Tomisllav Nikolliq është takuar me Momçillo Krajishnikun, kriminelin serb të Bosnjës të dënuar për krime lufte, me të cilin ka biseduar për mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në rajonin e Ballkanit. Sikurse Krajishnik ashtu edhe Shlivançanin kanë kryer vuajtjen e dënimit dhe tani janë njerëz të lirë që të marrin pjesë në tribuna dhe takimeve, si dhe të ftohen aty. Personalisht nuk do të doja as të kaloj në rrugën e njëjtë ku ata vijnë si mysafirë e llomotisin për politikë, por kam mirëkuptim për të drejtën e tyre.
Mirëpo, problemi është se presidenti ynë po këshillohet përkitazi me mbrojtjen e të drejtave të serbëve jashtë Serbisë me dikë qëështë dënuar për krime lufte dhe kështu po tregon se larguar shumë nga politika që udhëhiqte në kohën kur ishte në një subjekt tjetër – partinë radikale. Shpresoj të mos e marrë me vete Krajishnikun në rrugë – kur së bashku me djemtë e tij niset për të luftuar në Kosovë. Nëse Shlivançanin është promovues i Partisë Përparimtare të Serbisë nëpër tribuna anekënd Vojvodinës, atëherë natyrisht se shtrohet pyetja se sa vërtetë ka ndryshuar përbrenda kjo parti dhe sa është ajo evropiane ashtu siç krerët e saj dëshirojnë ta prezantojnë.
Apo ndoshta tani në ethet parazgjedhore (në kohën kur fushata ende as që ka filluar) gjithçka është e lejuar, duke përfshirë edhe atë që kryeministri serb e quan një stacion televiziv, i cili gjithmonë e nevrikosë me pyetje të papërshtatshme, publikisht e etiketon si një institucion që punon me mafiozë dhe kriminelë. Nuk bën të ketë pyetje dhe shkrime derisa të përfundojnë zgjedhjet, sepse kryeministri qartë ka thënë: Serbinë e ka kapluar një rrezik i madh… edhe nga “hajdutët e kriminelët”, të cilët, sipas tij, me çdo kusht, kërkojnë që të kthehen në pushtet. /Lajmi.net/