Gazetare: Ilmie Zhaku
Edhe pse kishte marrëveshje për armëpushim në Gaza, kjo marrëveshje u prish nga forcat izraelite kur filluan sërish me bombardimet në Rripin e Gazas. Sulmet ajrore kanë vazhduar në lagje të ndryshme, ku janë sulmuar tenda të refugjatëve por edhe gazetarëve. I ftuar në emisionin Ftesë në Studio me modertoren Ilmie Zhaku, në një lidhje virtuale, gazetari palestinez Hamza Chalan tha se çdo ditë palestinezët shohin terror, vriten fëmijë, gra, të moshuar. Ai tha se gjendja në Gaza është rënduar shumë, sepse përveç sulmeve, popullata përballet me uri dhe etje, sepse forcat izraelite nuk lënë të hyjnë ndihma humanitare.
“Pasi qeveria izraelite prishi armëpushimin, vrasja dhe bllokada u kthyen në Gaza. Sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazas, në veri, jug, qendër. Situata në thelb është si në fillim të luftës, shumë masakra, shumë luftime, shumë evakuime. Nuk lejojnë asnjë ndihmë humanitare të hyjë në Gaza, nuk ka ujë të pastër për pije, nuk ka rrymë elektrike, nuk ka ushqim mjaftueshëm, ka shumë uri.”, tha gazetari palestinez Hamza Chalan për Alsat.
Chalan ka raportuar nga Gaza për gjithçka që ndodh atje, edhe pse muajt e fundit është detyruar ta lërë vendlindjen për të qëndruar i sigurtë. Ai tha se gazetarët janë përballur me shumë vështirësi, sepse edhe ata janë të targetuar nga qeveria izraelite.
“Të jesh gazetar në Gaza është mision i vështirë, unë dhe kolegët e mi kemi punuar në kushte shumë të vështira, kemi punuar nga rruga, në kushte ekstreme, kishim probleme të gjejmë rrymë elektrike për të karikuar laptopet dhe telefonët për të raportuar, përveç asaj të punosh në teren, është një rrezik i madh, jeta jote rrezikohet çdo moment. Kemi pasur probleme me zëvendësimin e pajisjeve, nëse kemi humbur një pajisje skemi mund të gjejmë tjetër. Kjo është një luftë e madhe, ska pasur kështu lufte më herët.”theksoi Chalan.
Ditë më parë në Gaza u sulmua edhe një tendë me gazetarë, ndërsa prej në filim të luftës, nga 7 tetori 2023, janë vrarë mbi 200 gazetarë. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë gazetarë lokal të cilët kanë raportuar nga tereni. Momentalisht atje raportojnë vetm gazetarët lokalë, sepse forcat izraelite nuk lejojnë media ndërkombtare të hyjnë në rripin e Gazas. /Alsat.mk