Në një intervistë për emisionin “Ditë e Re” në Alsat, gazetarja e Alsat Sarandë Selimi nga Kosova ndau përjetimet e saj mbi luftën dhe rëndësinë që ka për të Dita e Pavarësisë së Kosovës.
Ajo u shpreh se kjo është festa më e rëndësishme për të dhe se çdo vit e pret me emocion të veçantë. Duke kujtuar periudhën e luftës, gazetarja tregoi se nuk ka familje në Kosovë që nuk është prekur nga konfliktet e asaj kohe.
“Kjo ditë më së shumti na kujton tmerret e luftës që kemi përjetuar, sepse nuk ka shtëpi në Kosovë që nuk është prekur nga lufta. Unë jam shumë e lidhur me betejat që kanë ndodhur në Kosovë, si ajo e Jasharëve dhe veçanërisht beteja e Koshares dhe normal e di që Shqiptarët e Maqedonisë, pa asnjë hezitim jo vetëm në Koshare por në të gjithë betejat janë bashku për të luftu për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës” tha gazetarja Sarandë Selimi.
Selimi tregoi gjithashtu për përjetimet e saj personale gjatë luftës, duke kujtuar se si familja e saj u detyrua të qëndronte në bodrumin e shtëpisë për t’u mbrojtur.
“Ne me familjen nuk kemi pasur mundësi të largoheshim në vendet fqinje, kemi qëndruar në shtëpi dhe për një periudhë të shkurtër u strehuam në një fshat të Prishtinës. Më pas nisën të digjeshin shtëpitë dhe u detyruam të ktheheshim sërish në shtëpinë tonë. Jemi me fat që kemi kaluar vetëm 12 orë para masakrës së Makovcit,” u shpreh ajo, duke treguar se kujtimet e asaj periudhe ende e ndjekin.
Dita e Pavarësisë për të mbetet një moment reflektimi dhe krenarie, por edhe një kujtesë për sakrificat e popullit të Kosovës për liri./Alsat.mk