Në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), deklarojnë se nëse ka tentim domosdo për kthimin e Marrëveshjes për Demarkacionin dhe Marrëveshjes për Asociacionin rezistenca kësaj radhe ka për të qenë edhe më e fuqishme, shkruan “Zeri.info”.
Ky subjekt konfirmon se gazi ende mbetet opsion nëse qeveritarët vazhdojnë shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve. “Gazi ka ardhur si domosdoshmëri, sepse ka qenë metoda më e efektshme për të parandaluar avancimin e këtyre marrëveshjeve. Nëse qeveritarët do të vazhdojnë shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve sigurisht që gazi mbetet opsion”, ka thënë për “Zërin” zyrtari për medie në LVV, Shkodran Hoti.
Sipas tij, për LVV-në e rëndësishme është që Demarkacioni dhe “Zajednica”, siç e quan ai, të mos kalojnë. “Për ne e rëndësishme është që ato marrëveshje të mos kthehen në Kuvend e nëse kthehen të mos lejohet të kalojnë”, ka thënë ai.
Më tutje Hoti rithekson se Demarkacioni dhe “Zajednica” janë marrëveshje të vdekura. “Dhe për çfarëdo që të ngjajë përgjegjëse do të mbetet kjo Qeveri, e cila me çdo kusht po do që ta cenojë interesin shtetëror e kombëtar për hir të interesave klanore brenda saj”, ka vlerësuar ai, shkruan “Zeri.info”.
Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës theksojnë se veprimet e opozitës varen nga sjellja e Qeverisë.
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, vlerëson se nëse ekzekutivi kthen marrëveshjet në Kuvend prapë do të ketë tension. “Nëse ajo tenton t’i rikthejë në agjendë këto marrëveshje, versionet çfarë janë tashmë, prapë do të tendoset situata edhe më tutje. Marrëveshja e Demarkacionit është shpallur e vdekur tashmë njëherë më 1 shtator të vitit të kaluar”, ka thënë ai, duke shtuar se Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është hedhur poshtë nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe si e tillë nuk pranohet as nga opozita në vend.
“Marrëveshjen për Asociacionin Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë të pavlefshme sepse bie ndesh me frymën unitare të shtetit të Kosovës. Pra, çdo gjë jona në këtë drejtim varet se si dhe çka bën Qeveria e tashme”, ka thënë Lekaj./Zeri/.