Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se koalicioni qeverisës PDK-LDK nuk do të prishet pa e mbyllur mandatin.
Ai thotë se nuk ka indikacione serioze se marrëveshja e koalicionit mund të prishet, pavarësisht raportimeve se koalicioni qeverisës do të prishet së shpejti dhe do të caktohet data për zgjedhjet e reja.
Disa deputetë të pozitës janë shprehur haptas së fundmi se nuk janë të kënaqur me koalicionin e dy partive më të mëdha në vend, por Gecaj thotë se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me marrëveshje mes dy partive.
“Unë nuk kam indikacione që diçka duhet të ndodhë këtë javë. Nëse unë jam i sigurt që kryeministri Mustafa kthehet prej Brukseli dhe në takim me kryetarin e PDK-së merren vesh se ka indikacione që çështja e liberalizimit të vizave mund të kalojë në Bruksel, nuk shoh arsye përse Veseli të kërkojë një gjë të tillë”, ka thënë Gecaj.
Ai thotë se edhe çështja e mocionit për mosbesim e ngritur nga opozita “është e mirë sepse ata po i kthehen institucioneve”.
Gecaj ka thënë po ashtu se nëse ky koalicion prishet nga njëra parti, atëherë partitë tjera duhet të mendojnë seriozisht nëse ja vlen të hyhet më me ta në koalicion apo jo.
© KOHA.