Geert Ahrens rikujton historinë e negociatave për Kosovën, që i paraparin luftës

Konferenca, negociata, në fund luftë. Diplomati i njohur gjerman Geert-Hinrich Ahrens negociatori kryesor për Kosovën në Konferencat e Jugosllavisë në vitet 90-të rrëfen për DW kujtimet personale për një kohë të trazuar.

Deutsche Welle: Zoti Ahrens, ju ishit nga shtatori 1991 deri në mars 1996 negociatori kryesor për çështjen e Kosovës në Konferencat e Jugosllavisë së atëhershme, në kohën e luftës në Kosovë ju ishit në Shkup për problemet e refugjatëve – 20 vite kanë kaluar ndërkohë, çfarë ju bie ndër mend kur e kujtoni këtë kohë?

Geert-Hinrich Ahrens: Së pari Bashkësia Ndërkombëtare dhe ajo që quhej më parë Bashkësia Europiane (BE e sotme, shën.red) nuk ia kishin idenë e Jugosllavisë. Ministri i Jashtëm i Luxemburgut, Poss thoshte atëherë, „kjo është ora e Europës”, por ata nuk ishin të përgatitur për një situatë të tillë. Kjo u pa në të dyja Konferencat e Jugosllavisë. Nga viti 1991-1996 isha i vetmi që kishte qenë në Jugosllavi dhe që flisja serbo-kroatisht.

Për bashkësinë ndërkombëtare qëllimet e shqiptarëve atëherë ishin të papranueshme. Një qëllim ishte „Shqipëria e Madhe”, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, tjetri „Kosova e Madhe” duke përfshirë aty zonat maqedonase dhe ato serbojugore, dhe qëllimi i tretë pavarësia e Kosovës, ajo çfarë kemi tani. Por të gjitha këto ishin të panegociueshme, sepse ishte një ligj i padiskutueshëm i konferencave, që nuk lejohet të ketë asnjë ndryshim kufijsh. Prandaj u thosha shqiptarëve, që ne mund të negociojmë vetëm mbi bazën e asaj, që më lejohet të negocioj.

DW: Çfarë mund të negociohej?

Geert-Hinrich Ahrens: Rugova, atëherë udhëheqësi i padiskutueshëm i shqiptarëve kishte dy parime të patundshme: Kurrë më nën Serbinë, të paktën të arrihej pavarësia, dhe tjetra, që kjo të arrihej vetëm paqësisht. Mbi këtë bazë mund të negociohej diçka dhe ne gjatë shumë viteve negociimi përpiluam një plan për qasjen me tre faza.

Së pari të bëhej diçka për gjendjen e tmerrshme të të drejtave të njeriut në Kosovë atëherë. Por për t‘u zgjidhur kjo na duheshin serbët, këtë problem nuk mund ta zgjidhnin shqiptarët. E dyta ishte që të arrinim një lloj normalizimi në disa sektorë, duke filluar me arsimin, pra shkollat, universitetin. Dhe e treta do të ishte statusi, pra cila do të ishte e ardhmja e Kosovës. Ishte shumë, shumë e vështirë të negociohej, kësaj i shtohej që brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë në Konferencat e Jugosllavisë nuk kishte ndonjë interes për çështjen shqiptare.

DW: Si mendoni ju, pse ndodhte kjo?

Geert-Hinrich Ahrens: Kur bashkësia ndërkombëtare arriti me Marrëveshjen e Dejtonit një zgjidhje për Bosnjen, BE publikoi një deklaratë, ku thuhej që problemet e Jugosllavisë në masë të madhe u zgjidhën dhe kështu konferenca mund të mbyllej. Por unë të paktën ia dola që grupi ynë i punës të vazhdonte me përpjekjet, por në fakt gati na i morën të gjitha kompetencat.

DW: Ju si negociator kryesor për Kosovën në Konferencat e Jugosllavisë këshillonit përfaqësuesit nga Kosova, por palës serbe çfarë këshillash i dhatë atëherë?

Geert-Hinrich Ahrens: Momenti më interesant ishte menjëherë pas Dejtonit. Të gjithë ishin të kënaqur, shumë krenar që u arrit marrëveshja. Megjithatë OKB e miratoi një deklaratë zyrtare që e dënonte ashpër politikën e Serbisë në Kosovë. Atëherë unë iu thashë serbëve, kam pasur një bisedë të gjatë me ministrin e Jashtëm Milutinovic: Ju nuk keni për të dalë nga kjo situatë, nëse nuk bëni diçka për Kosovën. Unë kam biseduar edhe me zv. Ministrin e Jashtëm jugosllav Çiçanoviq, ai u zemërua, e më tha, ne sapo bashkëpunuam për Bosnjën e ju po filloni tani me Kosovën… por unë këmbëngulja. Nuk ka rrugë tjetër, duhet të lëvizni, i thosha. Dhe vërtet ata filluan të bënin diçka.

Ata krijuan një grup negociues, ku ishte Maslloraviç, atëherë sekretar për çështjet e jashtme, i Serbisë, jo i Jugosllavisë së tretë, dhe Unkoviç, zëvëndëskryeministri i atëhershëm serb. Në atë moment më lëshuan një vizë gjashtë mujore, pasi vite me radhë na nervozonin me viza ditore, kisha madje edhe një makinë. Atëherë unë shkova në Prishtinë dhe Ibrahim Rugova ma tha troç, nëse ne nuk negociojmë tani, këtu do të flasin armët. Sepse pas Dejtonit, bashkësia ndërkombëtare nuk u kujdes më gati aspak për Kosovën.

DW: A ishte kjo shkujdesje hakmarrja e mëvonshme?

Geert-Hinrich Ahrens: Rambujeja erdhi shumë vonë, deri atëherë kishin ndodhur shumë gjëra, shumë njerëz kishin humbur jetën. Pse nuk e bën të njëjtën gjë që në 1996-n? Po ata ishin shumë të fiksuar tek Bosnja dhe shumë krenar për Marrëveshjen e Dejtonit, që të them të vërtetën për mua nuk ishte edhe kushedi sa e qëlluar.

Mbaj mend që kam folur edhe me Madeleine Albright, me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit në Londër në Konferencën e Implementimit të Dejtonit. Ata dëgjonin me shumë simpati, i pranonin të gjitha, por nuk merrnin asnjë masë.

DW: Erdhi Lufta e Kosovës, bombardimet e NATOs, marsi i vitit 1999 në atë kohë ju ishit i dërguar në Shkup, në kohën kur kishte një valë refugjatësh nga Kosova. Si e kujtoni ju atë kohë?

Geert-Hinrich Ahrens: Isha i dërguari special i Bashkësisë Europiane, ndërkohë Bashkimi Europian. Problemi kryesor ishte që në Maqedoni, ku situata mes shqiptarëve dhe sllavëve edhe ashtu ishte mjaft delikate, tani papritur erdhën shumë më tepër shqiptarë.

Maqedonasit më thoshin, se deri tani asnjë refugjat nuk është kthyer, ata do të qëndrojnë këtu. Unë i sigurova, lexoj çdo ditë shtypin shqiptar, dhe të gjithë thonë që duan të kthehen në vendlindjen e tyre, Kosovë. Përsa i përket refugjatëve vetëm mund ta lëvdoj Tiranën, sepse Shqipëria që ishte shumë e varfër në atë kohë pranoi masa të mëdha refugjatësh, më shumë se gjysma shkuan në Shqipëri.

DW: Nga këndvështrimi i sotëm, si do ta vlerësonit rolin e Shqipërisë? Ju ishit aty më pas tre vite Ambasador i OSBE-së…

Geert-Hinrich Ahrens: Përsa i përket krizës në Kosovë, intervenimit të NATOs e para aq shumë refugjatëve, Shqipëria ka reaguar në mënyrë shembullore. Ata i pranuan në masë refugjatët, i strehuan, i kam parë vetë kampe të tilla si në Vlorë. Por edhe në Maqedoni ka pasur kampe shumë të mëdha të refugjatëve. Situata u bë e ndërlikuar, sepse intervenimi i NATO-s zgjati shumë më tepër se sa e mendonin ata.

Millosheviçi rezistoi shumë gjatë, deri sa nuk mundi më. Kjo e ndërlikoi edhe situatën e refugjatëve. Megjithatë pati një fund të mirë, sepse pas lufte vërtet të gjithë shqiptarët u kthyen.

DW: Si e shihni nga perspektiva e sotme këtë kohë dhe zhvillimin e Kosovës si shtet më vete, a do ta quanit një histori suksesi?

Geert-Hinrich Ahrens: Për shqiptarët është padyshim një sukses, sepse ata janë të pavarur dhe nuk janë më pjesë e një shteti serb. Për serbët, më kujtohet që i thoja Koshtunicës, pasardhësi nacionalist i Millosheviçit: Ju thoni që doni ta merrni sërish Kosovën, se është pjesë e Serbisë.

Tani imagjinoni që bashkësia ndërkombëtare nesër ju thotë, ok, keni të drejtë, ne do të tërhiqemi deri tek njeriu i fundit, çfarë do të bënit ju atëherë?

DW: E cila ishte përgjigjja e tij?

Geert Hinrich Ahrens: Nuk u përgjigj aspak! Por as nuk më përzuri. Ishte më se e qartë se shqiptarët do të kishin rezistuar deri tek personi i fundit, që të mos ktheheshin më nën regjimin serb.

Serbët as nuk do t’ia dilnin dot, është një politikë jo realiste. Se ku do të çojë kjo në fund, nuk e di, por jam i sigurtë që edhe presidenti i Serbisë e di shumë mirë, se nuk do ta marrë më kurrë Kosovën.

DW: Sot flitet për korrigjime kufijsh, apo këmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës. Si e shikoni situatën ju, apo thënë më mirë me titullin e librit tuaj, a është kjo „diplomaci mbi tehun e thikës”, pra a është kjo kjo thikë me dy presa?

Geert-Hinrich Ahrens: Ju e dini që politika zyrtare gjermane nuk mbështet asnjë ndryshim kufijsh, sepse qëndron gjithmonë rreziku që shqiptarët në Maqedoni, Tetovë dhe viset e tjera do të donin gjithashtu t‘i bashkoheshin atij shteti. Kemi po ashtu vende me shqiptarë në jug të Malit të Zi, që kufizohen me Shqipërinë e jo Kosovën dhe pastaj është çështja e jugut të Serbisë në Luginën e Preshevës.

Unë mendoj, se nëse në Beograd dhe në Prishtinë kemi qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë popullin e tyre, atëherë duhet që të mos intervenohet nga jashtë, nëse ata duan të bëjnë diçka me njëri-tjetrin. Por unë nuk shoh ende që në një të ardhme të afërt të arrihet një marrëveshje, ku Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës.

DW: Qëndrojmë tek tema e heqjes së kontrolleve kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës, ra një Shengen ballkanik, ideja u përmend nga kryeministri Edi Rama dhe shkaktoi reagime, po ju si mendoni?

Geert-Hinrich Ahrens: Unë mendoj nëse hiqen kontrollet kufitare me një marrëveshje dypalëshe dhe gjithçka është nën kontroll, kjo është diçka shumë pozitive.

Geert-Hinrich Ahrens, diplomat gjerman me përvojë të gjatë, njohës i Ballkanit, nga shtatori i vitit 1991 deri në mars 1996 ka qenë negociatori kryesor për çështjen e Kosovës në Konferencat e Jugosllavisë së atëhershme, gjatë luftës në vitin 1999 ai ishte i dërguar i BE-së për çështjen e refugjatëve, më pas Ambasador i OSBE në Shqipëri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme