Georgievski: Mijallkovin e shkarkova gjatë luftës së Kosovës me insistimin e ambasadorit amerikan Hill (VIDEO)

Një nga kokat e njohura të shërbimeve sekrete në Maqedoni, Sasho Mijallkov në kohën e luftës në Kosovë ishte shkarkuar nga detyra e shefit të Shërbimit Sekret Ushtarak.

Këtë e ka theksuar ish-lideri i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri i asaj kohe, Lubço Georgievski në emisionin “Në Qendër” të transmetuar muaj më parë, përcjell INA.

Një intervistë e Georgievskit për emisionin “Në Qendër” së fundi është shpërndarë në rrjetet sociale, ku ai shpjegoi rolin e Mijallkovit si shef i shërbimit sekret ushtarak në Maqedoni, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Mijallkov së fundi po përmendet si protagonist në prapaskenë në lojërat politike që synojnë ta shkarkojnë Hristijan Mickoskin nga kreu i VMRO-DPMNE-së. Megjithatë ai po vijon të paraqitet në proceset gjyqësore që ishin të ndërlidhura me skandalin e përgjimeve.

Georgievski ka theksuar se për shkarkimin e Mijallkovit kishte insistuar atëkohë, ambasadori amerikan në Shkup, Kristofer Hill dhe ministrja e brendshme e asaj kohe, Dosta Dimovska.

“Arsyet ishin se Lube Boshkovski atëkohë si ish-shef i DSK (Shërbimit secret) kishte kapur disa kamionë që duhej të trafikonin armë për në Serbi-Ish-Jugosllavi. Nuk e di se për këtë rast trafikimi a ishte informuar atëkohë ministri i mbrojtjes, Nikolla Klusev, por për përfshirjen e Mijallkovit kishim dëshmi të forta”, thekson Georgievski, duke shtuar se kjo ishte se pse e shkarkuan.

Georgievski më pas shton se pas disa ditëve tek ai ka shkuar Nikolla Gruevski, kusheriri i parë i Mijallkovit, i cili e ka lutur që Mijallkovin t’ia gjejë një vend pune, për shkak se kishte ngelur pa punë dhe kishte familje. Gruevski e ka lutur që atij ti jepej ndonjë vend pune në Qeveri. Ashtu sipas Georgievskit, Mijallkov është pranuar si këshilltar në Qeveri, për të mbijetuar financiarisht, ndërsa tani siç thotë, ky është njeriu më i pasur dhe nuk dihet se sa është pasuria e tij.
Georgievski po ashtu ka rrëfyer në emisionin “Në Qendër” se kur Mijallkov ishte shef i shërbimit ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes janë zhdukur pajisje për përgjime, por ai tani nuk mund të thotë se me atë pajisje janë bërë përgjimet. (INA)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme