Qeveria nuk ka të drejtë ta përdorë flamurin e BE-së në ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Ambasadori i BE-së Dejvid Gir në Programin 200 në Alsat tha se qeveria nuk mund të përdorë flamurin e BE-së vetëm se ka probleme me miratimin e ligjeve apo për të shkurtuar debatin. Sipas Gir, flamuri i BE-së mund të përdoret vetëm në ligjet që kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit të BE-së.
“Sa i përket korridoreve 8 dhe 10D, ne e kemi thënë qartë se janë rrugë strategjike, por në këto ligje nuk ka asgjë me sa e dimë, sa i përket harmonizimit me standardet evropiane. Prandaj ne deklaruam se nuk mund ta përdorni flamurin evropian meqenëse keni vështirësi në procedurat parlamentare apo që të shkurtoni konsultimet”, deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup Dejvid Gir në Programin 200 në Alsat.
Ambasadori i BE-së Gir tha se Bashkimi Evropian ndjek nga afër edhe aspektet e tjera lidhur me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D.
“Sa i përket çështjes lidhur me kontratën me kompaninë Bektel&Enka, ne jemi në kontakt me autoritetet për t’u siguruar se janë në vijë me obligimet që janë marrë në kuadër të raporteve tona bilaterale, në atë që e quajmë Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim por gjithashtu me ligjet dhe standardet evropiane”, deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup Dejvid Gir në Programin 200 në Alsat.