Nga Xhevdet Pozhari
Gjakova nuk është e Ardian Gjinit, as e Mimozës. Nuk është e AAK-së, as e Vetëvendosjes. Gjakova është mbi të gjitha e fëmijëve të familjes Vejsa, Hoxha, është e nënës Ferdonije… është e gjithë atyre që nuk arritën t’i gëzohen lirisë. Është Gjakova e Yllkës, Yllit, Eltonit, Përmetit…Është e Çabratit që mbanë dhembjen dhe kurorën e së kaluarës. Është ëndrra e këputur në mes. Është rinia ime. Është plaga që barti në shpirt kudo që shkoj, kudo që jam. Gjakova është gjithçka që kam – dashnia ime e parë dhe e fundit.
Sot kur kanë kaluar mbi 20 vite pas luftës dhe thuajse aq vite që unë jam larguar nga ky qytet, me shpresën se një ditë do të kthehem në Gjakovë, është hera e parë që ndjej se ajo është afër që t’i kthehet dinjiteti që u munduan t’ia nëpërkëmbin të gjitha pushtetet me radhë duke e kushtëzuar me votë për investime. Nuk u bind! Qyteti që nuk u dorëzua as përballë flakëve të luftës, më së paku mund të kushtëzohej nga ata që lirinë e kishin kuptuar si plaçkë që u takon vetëm atyre. Ata që zhvatën e shpronësuan, shkatërruan industri e fabrika që më pas t’i privatizojnë egërsisht. Krejt këto ndodhnin kur unë isha një i ri që kërkonte pak shpresë për qytetin e tij… siç janë sot mijëra të rinj dhe të reja që presin një vend pune, pak shpresë, një biletë… ndoshta pakthim!
Vetëm ata që pushojnë në Çabrat nuk mund të kthehen më! Njëjtë siç nuk kthehet as rinia e brezit tim që kaloi duke shpresuar se Gjakova… Por, e sotmja i takon rinisë. Ata nuk janë pronë e askujt! Atyre iu takon ta gjallërojnë këtë qytet. E, ata duhet ta dinë se Vetëvendosja nuk ka qeverisur kurrë me këtë qytet. Dhe, se ajo mbase është shpresa e fundit…
Jepjani mundësinë Albin Kurtit. Ai kurrë s’do t’i tradhtonte ëndrrat e juaja. Nëse e bën, kurrë nuk do t’ia falim!