Komuna e Gjakovës fiton 600 mijë euro grante nga projekti DEMOS, 120 mijë grant i rregullt dhe 480 mije shpërblime, kështu ka njoftuar me anë të një postimi në “Facebook”, kryetarja Mimoza Kusari-Lila.
Komuna e Gjakovës është shpallur komuna më e mirë për përformancen e treguar në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, përzgjedhje kjo e cila është bërë në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për komunat fituese nga programi i DEMOS/ sistemi i granteve bazuar në performancë. Komuna e Gjakovës është vlerësuar si komuna më e mirë në katër kategoritë e këtij vlerësimi, duke lënë prapa 16 komunat tjera pjesëmarrëse në projektin DEMOS.
Ndarja e shpërblimeve është bërë nga Kryeministri Isa Mustafa dhe drejtori i zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë Patrick Etienne, me ç‘rast komuna e Gjakovës ka fituar vendin e para në katër kategoritë sa kanë qenë gjithsejtë, apo më konkretisht:
1. Performuesi më i mirë me më së shumti pikë prej komunave tjera,
2. Përmirësues në shërbimet publike me 0.56%,
3. Përmirësues në demokraci lokale,
Si dhe
4. Përmirësues i përgjithshëm me 0.56%.
Për këto çmime, komuna e Gjakovës ka fituar fonde shtesë në vlerë prej 480 mijë euro, ndërsa duke i shtuar edhe grantin e përgjithshëm prej 120 mijë eurosh, shuma totale e fituar nga projekti DEMOS, ka arritur në 600 mijë euro, mjete të cilat do të shpenzohen për rregullimin e jetës së qytetarëve të komunës së Gjakovës.
Me këtë rast, kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila është shprehur e kënaqur dhe ka shtuar se ndjehet tejet e lumtur që mundi dhe angazhimi i bërë deri me tani më në fund është shpërblyer me fitimin e kësaj gare. Ajo e ka falenderuar në veçanti qeverinë zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme për komunën e Gjakovës.
Në fund, kryetarja Kusari-Lila ka falënderuar po ashtu stafin e saj për punën dhe përkushtimin që të arrihet ky rezultat.
Ndryshe, fillimisht kjo ceremoni është hapur nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ka falënderuar qeverinë zvicerane për projektin DEMOS për mbështetjen e komunave në zhvillimin e tyre. Kryeministri Mustafa ka shprehur që në të ardhmen beson që ky projekt do të zgjerohet në më shumë komuna si dhe ka uruar komunat të cilat janë përzgjedhur si fituese për performancën më të mirë.
Po ashtu, drejtori i zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Patrick Etienne, ka shprehur se qeveria Zvicerane ka qenë gjithmonë mbështetëse e Kosovës dhe se projekti DEMOS i mbështet komunat bazuar në performancën e tyre duke plotësuar kriteret për tu përzgjedhur si performuesit më të mirë dhe përmirësuesit më të mirë. Z. Etienne ka theksuar që bashkëpunimi i tanishëm është me 17 komuna pjesëmarrëse ndërsa në të ardhmen do të mundohen të zgjerojnë bashkëpunimin edhe me komuna tjera.