Gjashtë dështimet e “Koalicionit të elefantëve”

E martë, 25 Tetor 2016  –  Sakte.net

 

Qeverisë së Kosovës i janë grumbulluar të paktën gjashtë probleme madhore gjatë dy vjetëve të para të mandatit të saj.

Pavarësisht numrit të madh të votave në Kuvend, “Koalicioni i elefantëve” nuk po arrin ta miratojë Demarkacionin, Asociacionin, t’i themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Prishtinë. Mandati qeverisës i koalicionit LDK – PDK dhe Listës Serbe, apo siç u quajt para dy vjetëve “Koalicioni i elefantëve”, po kalon, ndërsa problemet po i grumbullohen.

Disa për arsye të brendshme e disa të tjerë nga faktorë të jashtëm shënojnë të paktën gjashtë probleme themelore me të cilat Kosova është ballafaquar viteve të fundit.

Mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mosliberalizimi i vizave, mosformimi i ushtrisë, problemet me listat e veteranëve, dështimi i implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe “tërmeti”, që pritet të shkaktohet së shpejti nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale, janë dështimet kryesore për partnerët e koalicionit që kanë pasur shumicën absolute të ulëseve në Kuvend.