Gjashtë muaj nga vrasja e Ivanoviqit, asnjë i dyshuar

Sot bëhen saktësisht gjysmë viti që nga vrasja e politikanit serb në Veri, Oliver Ivanoviq. Gjashtë muaj pas këtij akti, ende nuk ka asnjë të dyshuar nga Prokuroria.
Në këtë përvjetor para varrit të politkanit serb u bënë homazhe nga familjarë dhe miq të partisë që drejtonte dikur, me të cilën në zgjedhjet e fundit garoi për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Në një komunikatë për media partia e Ivanoviqit, ka kritikuar edhe Beogradin edhe Prishtinën për punën joefikase në zbardhjen e këtij rasti, transmeton lajmi.net.

“Informacioni i fundit ishte se autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës kanë pasur një takim, por ende nuk ka pasur asgjë në publik. Ende besojmë se ata kanë shkëmbyr gjithë informacionin e nevojshëm dhe dokumentacionet gjithashtu, për të gjetur vrasësit e Ivanoviqit”, thuhej në komunikatën e Iniciativës qytetare “Liria, Demokraci, Drejtësi”.

Kohë më parë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një deklaratë për lajmi.net kishte thënë se ai ka ofruar gjithë përkrahjen e nevojshme që ky rast të zbardhet.

Tahiri gjithashtu kishte akuzuar Beogradin për mosbashkëpunim, sidomos në trajtimin e provave.

“Çdo gjë që e shohim të arsyeshme që mund të na nevojitet, nuk do të hezitojmë ta kërkojmë nga shteti serb. Prokuroria dhe policia po punojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm për rastin në fjalë, dhe jam i bindur që do të arrijmë të idenfitikojmë pasi vrasësit mund të mos jenë në Kosovës, por të paktën t’i identifjkojmë të dyshuarit që e kanë kryer këtë vepër”, kishte deklaruar Tahiri.

Si dëshmitar në vrasjen e Ivanoviqit ishte intervistuar gazetari serb, Stefan Cvetkoviq.

I njëjti kohë më parë ishte rrëmbyer një herë, e më pas edhe rrahur në vendin e tij të lindjes. /Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme