Gjashtë ushtarë të forcave të armatosura të Britanisë së Madhe janë arrestuar nën dyshimin se e kanë sulmuar një ushtare në moshë të re.
Ministri i Mbrojtjes, Gavin Williamson, ka shkruar se është i tronditur nga këto dyshime dhe se në tërë ushtrinë do të urdhërohet shqyrtimi i sjelljes së trupave të armatosura.
“Nuk ka vend për këso lloj sjelljesh në ushtri dhe nëse këto dyshime vërtetohen, ushtarët e përfshirë në këtë rast duhet të përballen me forcën e plotë të ligjit”, tha Williamson.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë britanike, Gjenerali Sir Mark Carleton-Smith, tha se çdo sjellje e pahijshme është tepër e papranueshme. “Kjo është në kundërshtim të plotë me atë që përfaqëson ushtria britanike dhe se mungesa e disiplinës bie ndesh me vlerat dhe standardet që e dallojnë ushtrinë e kombit tonë”, tha ai.
Ushtria britanike u bë cak i kritikave gjatë kësaj jave edhe për një sjellje tjetër. Në një video të publikuar në internet shihet se si disa ushtarë e përdorin fotografinë e liderit të opozitës, Jeremy Corbyn, për të shtënë me armë gjatë ushtrimeve. Kjo ngjarje ka ndodhur në Kabul të Afganistanit, ku janë të stacionuar qindra ushtarë britanikë, shkruan “The Guardian”.