Përfaqësues të opozitës po vlerësojnë se nuk mund të vazhdohet me një fazë të re të dialogut pa rishikimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash
I nisur në mars të vitit 2011, dialogu mes Kosovës e Serbisë ende nuk ka përfunduar. Përkundrazi, negociatat për normalizim të raporteve mes këtyre dy shteteve tashmë pritet t’i nënshtrohen të ashtuquajturës “faza përmbyllëse” e këtij procesi. Ndonëse janë bërë më shumë se 6 vjet prejse ka nisur ky dialog, shumë prej marrëveshjeve nuk kanë gjetur ende zbatim, ani pse në Bruskel janë nënshkruar 38 të tilla. Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se procesi në fjalë nuk ka pasur thuajse fare transparencë.
Ata me këtë rast kanë konsideruar se tash e tutje duhet nxjerrë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të përcaktohet afati kohor se deri kur duhet të vazhdojë ky proces. Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” vlerësojnë se nuk mund të vazhdohet me një fazë të re të dialogut pa rishikimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot, përfaqësuesit e tjerë të opozitës thonë se deri te një fazë e tillë nuk mund të kalohet pa një konsensus të brendshëm politik. /Zeri/