Gazetare: Linda Ebibi
Gjatë ditëve me temperatura të larta, rreziku për helmime nga ushqimet rritet ndjeshëm për shkak të prishjes më të shpejtë të produkteve ushqimore, sidomos tek produktet e bulmetit dhe të mishit. Nutricionistët thonë se gjatë ditëve të nxehta produktet e lartë përmendura duhet të mbahen në temperaturë nën pesë gradë celsius, ndërsa helmimet prekin më rëndë fëmijët dhe të moshuarit.
“Gjatë stinës së verës më shumë rrezikohemi nga ushqimet që prishen më shpejtë, pra nga bulmeti, nga mishi, nga vezët. Është mirë që këto lloj produkte të mbahen në frigorifer d.m.th të mos ekspozohen jashtë. d.m.th mund të krijohen salmonela, mund të krijohet eshiriakoli, pra mund të sjellin në helmime të ndryshme nga bakteret e ndryshme, pasi gjatë kësaj periudhe edhe prodhimi i baktereve është më i madh”, tha Arlinda Memedi, specialist e fitoterapisë dhe nutricioniste.
Qytetarët thonë se në këto ditë përvëluese pinë më shumë lëngje dhe ushqehen me ushqime më të lehta.
“Unë personalisht kujdesem për ushqimin dhe në gjithçka tjetër, në verë respektoj masat për më shumë lëngje, ushqim më të lehtë, mish dhe kësi gjërash nuk përdori, kështu që nuk e kam problem me këto temperatura”, tha një qytetare.
“Kemi kujdes as sa mundemi … me ushqim sa më të lehtë”, tha një qytetar.
“Më shumë lëngje, më shumë pemë kështu”, shtoi një tjetër qytetar.
“Çka mund të hash ha, çka nuk mundesh nuk ha. Për sheqerin patjetër duhet të kesh kujdes”, theksoi një qytetar.
Sipas nutricionistëve, gjatë ditëve kur temperaturat janë shumë të larta, duhet të konsumohen dy litra e gjysmë deri në tre litra ujë. Gjithashtu rekomandohet konsumimi më i shpeshtë i pemëve dhe perimeve të stinës./Alsat.mk




