Një koleksion me monedha ari, që besohet se ishin fshehur para 900 viteve, është zbuluar nga arkeologët në qytetin antik izraelit të Cesareas. Monedhat e rralla u gjetën të fshehura në një enë bronzi që ndodhej mes gurëve të një pusi të thellë.
Grumbulli i 24 monedhave duket se është fshehur aty nga dikush që shpresonte se do të kthehej për t’i marrë më vonë, por që nuk u kthye kurrë më. Arkeologët thonë se pronari i tyre mund të jetë vrarë nga ushtria e Kryqëzatave në vitin 1101.
Ekspertët kanë vlerësuar se monedhat i përkasin përiudhës së fundit të shekullit të njëmbëdhjetë. Pusi ku u gjetën monedhat i takon periudhës abaside dhe fatimide. Sipas të dhënave historike, gjatë luftës së asaj kohe, shumica e popullsisë ishin masakruar. Afër këtij lokacioni ishin gjetur edhe stoli ari në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, shkruan “BBC”.