Qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, e cila u formua me vetëm 61 vota, ndër sfidat e saja kryesore pritet ta ketë edhe formimin e ushtrisë. Përfaqësuesit serbë kanë thënë se Lista Serbe ia ka dalë që ta largojë nga programi qeverisës çështjen e ushtrisë, për formimin e së cilëve ishte angazhuar personalisht ish-gjenerali i UÇK-së, Haradinaj.
Megjithëkëtë ministri tashmë i emëruar i FSK-së, Rrustem Berisha, ka deklaruar për “Zërin” se nuk ka informacion nëse Lista Serbe ka kërkuar një gjë të tillë. Përkundrazi, sipas tij, Qeveria e re ndër prioritetet kryesore e ka shndërrimin e FSK-së në FAK. E pavarësisht tij, përfaqësuesit e opozitës kanë konsideruar se një qeveri me vetëm 61 vota (bashkë me Listën Serbe) do ta ketë shumë të vështirë t’i çojë përpara proceset e mëdha, duke përfshirë këtu edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës. /Zeri/