Sulmet mes Izraelit dhe Iranit, gjendja në Gaza dhe luftimet në Ukrainë kanë krijuar situatën më të vështirë në botë që pas Luftës së Dytë botërore. Nuk ka pasur kaq interesa gjeopolitike në 70-80 vitet e fundit që kanë përfshirë fuqitë globale. “Janë luftime që mund të ndryshojnë rendin ndërkombëtar”, thotë Ledion Krisafi ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Duke folur për “Programin 200” që transmetohet sot në ora 21:40, ai thotë se për rajonin zhvillimet mund të shihen me qasje pozitive sepse Perëndimi është duke fituar dhe se Rusia po del më e dobët.
Nga ana tjetër situata globale nuk mund të krijojë tensione të tjera në rajon. Nëse do të fitonte Rusia, Serbia do ta shihte si një lloj revanshizmi në Ballkan, por për sa kohë NATO është në Kosovë nuk ka asnjë shans që ushtria serbe të kalojë kufirin e të krijohet një konflikt tjetër.
Nga ana tjetër Augustin Palokaj, Gazetar me bazë në Bruksel thotë se BE është më e distancuar në konfliktin Iran – Izrael por dhe NATO ka paqartësi në radhët e saj. Gjithsesi situata do të diskutohet në dy samitet e rëndësishme pak ditë më vonë të dy organizatave të mëdha.