Parandalohet “plaçkitja e shekullit”. Kështu e kanë cilësuar mediat gjermane planin e një shtetasi shqiptar dhe një italiani, që është ndërprerë në mes nga ndërhyrja e policisë, ditën e hënë. Ngjarja ka ndodhur në Koblenz.
Policia vendase ka njoftuar se grabitja ishte planifikuar të bëhej me armë automatike (kallashnikovë), ndërsa objekt i saj ishte një blind që transportonte para në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë.
Protagonist i aktit të dyshuar është një shtetas shqiptar nga Italia, transmeton albinfo.ch. Ai është arrestuar të hënën me rastin e një bastisjeje të kryer në regjionin Neuwied. Bastisja ishte bërë me një flet-arrest të Europolit.
I dyshuari aktualisht po mbahet në arrest në burgjet e landit dhe pas kësaj e pret ekstradimi në Itali, ka njoftuar Prokuroria e Përgjithshme e Koblenzit agjencinë gjermane të lajmeve DPA.
Veç shqiptarit, i dyshuari tjetër është një shtetas italian me qëndrim në Gjermani, i cili, pas marrjes në pyetje është lëshuar në liri.
Sipas mediave italiane, plaçkitësit donin të sulmonin me pushkë automatike transportuesin e blinduar i cili transporton disa milionë euro.
Në bastisjet tjera që ka ndërmarrë policia në Gjermani dhe në Itali, janë arrestuar 15 persona.
Banda, pjesë e të cilëve besohet të jenë dy të dyshuarit, ka plaçkitur disa herë makinat që transportojnë paratë në Itali.



