Qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë. Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.
Gjermania e rriti javën e kaluar presionin ndaj Kosovës duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
DW e pyeti ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme gjermane thuhej gjithashtu se “ashtu si Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në shtensionimin e gjendjes. “Serbia duhet të angazhohet qartazi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të vërë më në dyshim vlefshmërinë dhe natyrën obliguese të saj”.
“Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbisë, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha Ministria e Punëve të Jashtme.
© SYRI.net



