Mijëra rusë po largohen nga vendi për shkak të mobilizimit të pjesshëm. Vendi po njeh një eksod të papritur, pasi rusët nuk duan që të shkojnë në front.
Ndërkohë të paktën dy ministra gjermanë kanë rekomanduar që Gjermania të japë azil për ata që po dezertojnë.
Edhe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, përgjegjëse për azilin dhe emigracionin, tha: “Kushdo që kundërshton me kurajë regjimin e Vladimir Putinit dhe në këtë mënyrë e vendos veten në rrezik të madh, mund të aplikojë për azil në Gjermani për shkak të persekutimit politik”.
Por zyrtarët e CDU në Gjermani kanë rezerva. Sipas tyre, jo çdo dezertor është një disident. Për më tepër, vendi do përmbytej nga qindra-mijëra rusë. Ata kanë bërë thirrje për një samit për këtë çështje.
Shumë nga vendet e Europës Lindore e kanë bërë të ditur se nuk do të pranojnë dezertorët rusë.
Arsyeja e tyre është se pavarësisht se po largohen nga rekrutimi, ata nuk janë kundër luftës. Aq më tepër, ata nuk duken shumë të dashuruar pas demokracisë liberale.
Ish-ambasadori ukrainas në Gjermani, Andriy Melnyk ishte po ashtu kundër kësaj nisme.
“Do të ishte katastrofik vendimi për t’u dhënë azil meshkujve rusë vetëm sepse pasi kanë mbështetur për 210 ditë agresionin rus, krejt papritur janë të pakënaqur me qëndrimin e tyre në Ukrainë”.
© SYRI.net