Qeveria e Gjermanisë konsideron që një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të gjendet nga të dyja palët me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian, por kundërshton kategorikisht që në kërkimin e zgjidhjes të dyja vendet të lëvizin kufijtë mes vete.
Kështu thotë Michael Roth, ministër i Shtetit për Evropë në Ministrinë e Jashtme gjermane.
“Unë nuk do t’i ofroja asnjërës palë propozime konkrete nga jashtë, sepse çështjet që ju përmendni janë shumë komplekse dhe sigurisht aspak të thjeshta për t’i zgjidhur. Mirëpo, përgjithësisht unë kam besim që Kosova dhe Serbia do të tejkalojnë këtë pengesë, nëse për këtë ka vullnet politik. Ndonëse këtu më duhet të shpreh një paralajmërim: lëvizjet e kufijve janë tejet të rrezikshme. Ne i kundërshtojmë ato në mënyrë kategorike”, ka thënë Roth në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, dhënë me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Ministri Roth (1970), që është anëtar aktiv i Partisë Social Demokrate (SPD) që nga viti 1987 dhe ministër shtetëror për Evropë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë që nga viti 2013, në intervistë theksoi progresin e arritur gjatë dhjetë vjetëve që nga shpallja e Pavarësisë, por edhe çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura.
“Sundimi i ligjit dhe demokracia nuk janë konsoliduar ende siç do ta dëshironim ne – e para së gjithash qytetarët në Kosovë. Ka edhe më tej deficite të mëdha në fushën e drejtësisë. Qeverisja e mirë dhe veprimtaria ekonomike transparente vetëm sa kanë filluar të vërehen. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë duke u luftuar me mjaft vendosmëri“, thotë ai.
Zyrtari i lartë gjerman, po ashtu, përmend edhe incidentet e fundit që tensionuan marrëdhëniet mes Kosovës dhe vendeve përkrahëse të pavarësisë, duke theksuar se problemet e vendit “para së gjithash janë të vetëshkaktuara”.
“Kosova do të ketë sukses si shtet vetëm kur të respektohen parimi i shtetit ligjor dhe obligimet ndërkombëtare për trajtimin e krimeve të luftës. Për këtë shkak, përpjekjet për të sabotuar Dhomat e Specializuara janë tejet të dëmshme edhe për raportet e Kosovës me partnerët e saj”, tha Roth…(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)