Gjermanët votojnë sot në zgjedhjet mbarëkombëtare për të zgjedhur parlamentin e ri dhe për të përcaktuar se kush do të pasojë Angela Merkelin si kancelar, raporton Anadolu Agency (AA).
Armin Laschet i Demokristianëve dhe Olaf Scholz i Socialdemokratëve janë kryesuesit në garë, ndërsa kandidatja e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, është e treta në sondazhet e fundit.
Ditë para votimeve, gati 35 për qind e votuesve ishin ende të pavendosur për kë do të votonin ose nëse do të votonin fare, duke i bërë parashikimet të vështira përpara votimit historik.
Merkel është ende politikanja më e njohur në vend, por ajo nuk do të kandidojë për një mandat tjetër dhe do të japë dorëheqjen pas formimit të një qeverie të re.
– Votimi në pandemi
Qendrat e votimit u hapën në 8:00 të mëngjesit në gati 85.000 vende në gjithë vendin dhe do të mbyllen në orën 18:00.
Komisioneri Federal i Zgjedhjeve në Gjermani u kërkoi njerëzve të respektojnë masat kundër koronavirusit në vendet e votimit: të mbajnë maska, si dhe të respektojnë masat e higjienës dhe distancimit social.
Shumë gjermanë kanë votuar tashmë me postë, kryesisht për shkak të koronavirusit, dhe autoritetet presin që më shumë se 40 për qind e votave të jenë fletëvotime me postë në këto zgjedhje.
Gati 60,4 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje, përfshirë 2,9 milionë votues për herë të parë, sipas autoriteteve.
Sondazhet e para dalëse do të publikohen menjëherë pasi të mbyllen qendrat e votimit dhe rezultatet paraprake priten gjithashtu më vonë sonte.
– Pritet garë e ngushtë
Sondazhi i fundit të premten nga Instituti Allensbach sugjeron një garë të ngushtë midis udhëheqësit konservator Laschet dhe kandidatit socialdemokrat Scholz.
Instituti parashikoi që Partia Socialdemokrate (SPD) e Scholz do të fitonte 26 për qind të votave. Aleanca konservatore CDU/CSU e Laschet pritej të merrte 25 për qind. Partia ambientaliste e Gjelbër e Baerbock parashihej të merrte 16 për qind.
I njëjti sondazh tregoi mbështetje për liberalët Demokratët e Lirë (FDP) me 10,5 për qind, Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë me 10 për qind, e ndjekur nga Partia e Majtë antikapitaliste me 5 për qind.
Sondazhet kanë treguar se asnjëra prej partive nuk do të marrë vota të mjaftueshme për të qeverisur vetëm, dhe kandidati për kancelar i partisë fituese mund të përballet me negociata të vështira për të formuar një qeveri koalicioni.