Gjermania paralajmëron zbutjen e masave kundër COVID-19

Gjermania gradualisht do t’i zbusë masat kufizuese të miratuara më 22 mars me qëllim luftimin e përhapjes së koronavirusit të ri, njoftoi kancelarja Angela Merkel, raporton (AA).

Duke folur në një konferencë online për media pas një takimi përmes videokonferencës me kryeministrat e shteteve gjermane, Merkel falënderoi qytetarët për respektimin e masave.

Merkel tha se masat akutale janë vazhduar deri më 3 maj, por shtoi se dyqanet gradualisht do të hapen më 20 prill.

Ajo po ashtu tha se nga 4 maji, gradualisht mund të hapen edhe shkollat, kopshtet zoologjike, bibliotekat dhe muzetë. Merkel deklaroi se mbajtja e maskave nuk është vendosur të jetë e detyrueshme, por u rekomandoi qytetarëve që t’i mbajnë ato në mjetet e transportit publik dhe gjatë bërjes pazar.

Sipas saj, hapja e shkollave dhe kopshteve duhet të përparojë hap pas hapi dhe në mënyrë të kujdesshme.

“Fillimisht do të hapen shkollat për nxënësit që janë në klasë të fundit dhe që do të duhet të hyjnë në provime”, theksoi kancelarja gjermane.

Ajo tha se nga 20 prilli mund të hapen dyqanet jo më të mëdha se 800 metra katrorë dhe rrojtoret, të cilat do të detyrohen t’i respektojnë rregullat e rrepta të higjienës.

Po ashtu, Merkel tha se deri në gjetjen e një vaksine, njerëzit do të jetojnë me koronavirusin dhe njoftoi se më 30 prill do të takohet sërish me kryeministrat e shteteve gjermane për të biseduar mbi zhvillimet në luftën kundër virusit.

Ndër vendimet e tjera të marra gjatë takimit të sotëm është edhe hapja e dyqaneve të automekanikëve, librarive dhe dyqaneve të biçikletave pavarësisht sipërfaqes së tyre.

Ndërkaq, masa e miratuar më 22 mars e cila ndalon qarkullimin e më shumë se dy personave së bashku dhe detyron mbajtjen e distancës sociale prej të paktën 1 metër e gjysmë, është shtyrë deri më 3 maj.

Restorantet, hotelet dhe kafenetë do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

Në kuadër të masave kundër COVID-19, “aktivitetet e mëdha” do të jenë të ndaluara deri më 31 gusht.

Gjithashtu, do të vazhdojë ndalesa për rituale kolektive në kisha, xhami dhe sinagoga.

Në azile dhe shtëpi të kujdesit për persona me aftësi të kufizuara do të zbatohen masa të veçanta.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme