Pas 26 vjetësh në krye të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka dorëzuar drejtimin e partisë Ardian Gjinit. Në Kuvendin e 10-të zgjedhor të AAK-së, Gjini u zgjodh kryetar i ri i partisë, ndërsa Haradinaj mbajti fjalimin e tij të fundit si udhëheqës i Aleancës, duke rikujtuar rrugëtimin e tij politik dhe duke shprehur mbështetje të plotë për pasardhësin e tij.
Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
Në Kuvendin e 10-të të AAK-së, për herë të fundit si kryetar i kësaj partie, Ramush Haradinaj mbajti fjalimin e tij, ku bëri një përmbledhje të shkurtër të rrugëtimit të tij politik.
“Prej vitit 2000, nga mosha ime 32-vjeçare, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjidhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjidhem kryeministër dy herë, me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë për rrugëtimin bashkë”, tha Haradinaj.
Megjithëse u largua nga kreu i partisë, Haradinaj theksoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik
“Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë. Për jetë Aleancë, për jetë UÇK, për jetë shqiptarët ndër breza”, tha Haradinaj.
Ai shprehu mbështetje të plotë për pasardhësin e tij, Ardian Gjinin, duke theksuar besimin që ka tek ai për drejtimin e partisë.
Edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pati fjalë vlerësuese për Haradinajn, i cili në një moment u emocionua.



