Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar rekursin e paraqitur nga Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, të dy nën hetim për ndërhyrje në sistemin IT të SPAK dhe përvetësim të materialeve hetimore nga adresat elektronike të tre prokurorëve.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, “mospranohet rekursi i paraqitur nga personat nën hetim Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni kundër vendimit nr.28 (87-2025-142), datë 22.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Të dy do të vijojnë të mbeten në burg gjatë zhvillimit të hetimeve.
Arnold Rrokaj, 33 vjeç, ish-punonjës në IMT, dyshohet se ka pranuar ndërhyrjen në postën elektronike të tre prokurorëve të SPAK. “E bëra nga kurioziteti”, mësohet të ketë deklaruar ai para hetuesve, duke lënë të kuptohet se ka përvetësuar materiale konfidenciale nga adresat zyrtare të prokurorëve.
Hetimet paraprake tregojnë se Rrokaj ia ka kaluar të dhënat Zambak Gjonit, jurist dhe ish-zyrtar burgu, i cili dyshohet se i ka shpërndarë më tej tek persona të tretë. Autoritetet po hetojnë këtë veprimtari si funksionim i një grupi kriminal.
Sipas SPAK, ndërhyrja u sinjalizua më 12 mars 2025, dhe brenda 48 orëve u identifikuan dhe u arrestuan dy personat e dyshuar. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ndalimin e publikimit të përmbajtjes së dosjes për shkak të hetimeve në vijim.
SPAK ka sqaruar se, pas një hetimi administrativ, nuk është konstatuar ndonjë hyrje në sistemin informatik të institucionit, por analizat e brendshme po vijojnë për të kuptuar çfarë informacioni është marrë nga email-et e prokurorëve, për të cilët dyshohet se përdornin fjalëkalime të thjeshta. Deri më tani nuk dihet çfarë përmbanin materialet e vjedhura dhe kush janë personat që kanë përfituar prej tyre.



