Mesditën e të shtunës së 30 dhjetorit, pas tre herë shtyrje të seancës, Gjykata e Posaçme ka vendosur për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, me kërkesë të SPAK, duke caktuar masën “Arrest në Shtëpi”.
Më herët avokatët mbrojtës të Sali Berishës deklaruan se kishin dërguar me postë në adresë të Gjykatës kërkesën për përjashtimin e gjyqtares që po gjykonte çështjen, Irena Gjoka.
Sokol Mëngjesi pranoi se u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të tërhequr vendimin e arsyetuar të gjyqtares Rudina Palloj, e cila rrëzoi kërkesën e tyre të mëparshme për përjashtimin e Irena Gjokës, pasi e gjeti atë të pabazuar në ligj.
Pala mbrojtëse pretendon se gjyqtarja, në këtë çështje është e njëanshme dhe ka konflikt interesi në vendimmarrjen për ish-kryeministrin Berisha.
Pas 2 muajsh e 8 ditë nga momenti që SPAK ka kërkuar masën e parë, atë të Detyrimit të Paraqitjes për Sali Berishën, numri i kërkesave për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka ka shkuar në katër. Sali Berisha është shprehur më herët se në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e ka shkarkuar gjyqtaren në shkurt të 1996 për paaftësi profesionale. Por Irena Gjoka është riemëruar vetëm 6 muaj më vonë që për Prokurorinë e Posaçme është provuar edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.