Fati i dosjes 5D do të vendoset më 14 shkurt, ku Gjykata e Posaçme do të shprehet nëse çështja do të kalojë apo jo për gjykim.
Të pandehurit Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato kanë kërkuar të gjykohen me procedurë të shkurtuar
Gjykimin e shkurtuar e kanë kërkuar edhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muahmetllari.
Kujtojme që SPAK mbylli hetimet për dy tendera dhe çoi për gjykim ish-zyrtarët e bashkisë Tiranë.
Prokuroria e Posaçme njoftoi pak dite me parë se është provuar fakti se shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k (e njëjtë me shoqërinë me emrin “V.A.S Konstruksion” sh.p.k), e cila është zotëruar në mënyrë indirekte nga shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish funksionarë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar kontrata publike në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve, është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.
Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar në datën 01.10.2019.