Gjoba 110 mln euroshe/ Dreka mes Agaçit dhe Becchettit që fundosi Shqipërinë

Nga MCNTV

Në fillim të vitit 2014, në një restorant të Tiranës, Engjëll Agaçi, sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, ulet të drekojë me Francesco Becchetin, biznesmenin italian, i cili në atë kohë ishte vënë nga qeveria nën hetim për pastrim parash. Kjo ishte dhe tema kryesore e bisedës mes të dyve.

Francesco Beccetti: Përse qeveria ka nisur hetime për pastrim parash ndaj kompanive të mia?

Engjëll Agaçi: Duhet të flasësh me Enkelejd Jotin, drejtorin e përgjithshëm të Top Channel.

Francesco Becchetti: Përse duhet të flas me z. Joti, i cili nuk është një zyrtar publik, por drejtori i përgjithshëm i një televizioni privat?

Engjëll Agaçi: Nuk është ide e mirë t’i bësh opozitë shtetit.  

Ky dialog i dëshmuar nga biznesmeni italian, Francesco Becchetti, në Uashington, ishte një nga tre provat kryesore që fundosi Shqipërinë në gjykatën e arbirtrazhit ndërkombëtar duke detyruar qytetarët shqiptarë të paguajnë 110 milionë euro gjobë. MCN publikon ekskluzivisht vendimin e gjykatës ICSID, e cila ka e pranuar si të vërtetë dialogun mes Becchetit dhe Agaçit. Vendimi thotë:

‘Që në fillim të hetimeve për pastrim parash, një përfaqësues i qeverisë i tha zotit Beçhetti në mënyrë eksplicite se duhet të fliste me një nga konkurrentët e tij, nëse dëshironte të kuptonte se pse investimet e tij ishin nën hetim, dhe që nuk ishte një ide e mirë t’i bënte opozitë shtetit,’- argumenton Gjykata e Arbitrazhit.

Por ky pasazh i vendimit ngre disa pikëpyetje të mëdha. Së pari, cila ishte arsyeja që sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, njëkohësisht një nga figurat më të pushtetshme të qeverisë, z. Agaçi, pranon të takohet dhe të drekojë me një biznesmen, i cili ishte vënë nën hetim për pastrim parash nga vetë qeveria? Së dyti, pse avokatura e shtetit dhe studioja ligjore që mbronte Shqipërinë nuk ka tentuar për asnjë moment gjatë gjyqit në arbitrazh që ta mohojë këtë dialog, ose të thërriste zotin Agaçi si dëshmitar në këtë proces me qëllim mohimin e këtyre thënieve për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar?

Kjo e ka nxjerrë gjykatën në përfundimin se goditja e qeverisë ndaj Agon Channel u bë për motive politike dhe për llogari të televizoneve konkurrente, që ishin afër qeverisë.

‘Hetimet kriminale ndaj kompanive të z. Becchetti u filluan nga një qeveri, e cila ishte e afërt me konkurrentët e tij, operatorët ekzistues të stacioneve televizive, kundër një stacioni që ishte kritik me qeverinë,’- thuhet në vendim.

Edhe në këtë rast qëndrimi i mbrojtjes së shtetit ngre pikpëyetje. Nga tërësia e vendimit rezulton që nga ana e Avokaturës së Shtetit apo studios së huaj nuk është tentuar që të mohohet, kundërshtohet apo të hidhet poshtë lidhja midis qeverisë dhe një media tjetër private në Shqipëri.

Madje personat e përmendur në dëshmi nuk u thirrën fare me cilësinë e dëshmitarit që të shpreheshin apo të pohonin të kundërtën e asaj që pretendonte z.Beccheti.

Gjykata e arbitrazhit duket se e ka patur të lehtë të vendosë së shpronësimi i Agon Channel kishte motive politike. Dhe për këtë kanë ndikuar jo pak deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama.

‘Sapo dolën vendimet e konfiskimit, kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta e tij ndaj investitorëve si paditësi kishte qenë një sukses dhe shkoi më tej duke kërcënuar gjyqësorin se në një mënyrë apo tjetër ishte i implikuar në shkeljet e këtyre investitorëve’, shkruan gjykata në vendim.

Sipas trupit gjykues te arbitrazhit, edhe provat mbi të cilat qeveria shqiptare ngriti akuzat kriminale ndaj Becchettit kane qenë me cen, pasi kur iu kërkua që të justifikojë mandatet e arrestit nga Interpol Shqipëria dështoi.

Këto fakte e kanë nxjerrë gjykatën në Uashington shpronësimi i Agon Channel nga qeveria ishte i padrejtë.

‘Të marra së bashku të gjitha çështjet e diskutuara mbështesin fuqishëm përfundimin se vendimi i konfiskimit ishte kulmimi i një fushate politike kundër paditësit’. 

Gjoba prej 110 milionë eurosh që takspaguesit shqiptarë do ti paguajnë biznesmenit italian është fatura më e rëndë e një gjyqi në historinë e Shqipërisë.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme