Gazetar: Bashkim Sulejmani
Edhe përkundër numrit të madh të gjobave nga policia për vozitje të shpejtë, shkeljet nuk kanë të ndalur.
“Shkeljet më të mëdha të rregullit të shpejtësisë ndodhin pikërisht në këtë rrugë, që njihet si rruga industriale në Qytetin e Tetovës, ku edhe vit më parë pati edhe viktima siç ishte vajza shtatë vjeçe”.
Banorët ankohen se e kanë të vështirë lëvizjen nëpër disa rrugë të Tetovës, sepse makinat lëvizin shumë shpejtë dhe rrezikohen në çdo moment.
“Shumë është rrezik, as që ndalen. Ja aty ndalemi presim nga gjysmë ore nuk ndalen, mezi ecim”, u shpreh një banor.
“Shumë tepër vozisin shpejtë dhe jemi të rrezikuar por çka të bëjmë s`ka policë sa duhet,” tha një tjetër banor.
“Shumë është e ngarkuar kjo rrugë, shpesh iki andej nga fusha dal. Po pate ndonjë hall mbetesh këtu nuk mund të kalosh, vozitin tepër shpejtë”, u shpreh një banor tjetër.
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thotë se po ndërmerr masat e duhura.
“Vetëm gjatë muajit të kaluar, në Tetovë dhe Gostivar, policia ka ndërmarr masa ndaj 907 vozitësve që kanë ngarë mjetin me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar. Vetëm dje gjatë ditës janë shqiptuar gjithsej 79 gjoba për tejkalim të shpejtësisë”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar në ka kryer kontroll të intensifikuar në gjithë territorin e vendit për sanksionimin e makinave që lëvizin me shpejtësi mbi të lejuarën. Janë sanksionuar 553 drejtues të automjeteve, nga të cilët 18 kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar dhe pesë automjete me shpejtësi më shumë se 70 kilometra në orë. 284 automjete kanë tejkaluar shpejtësinë në vendbanim, ndërsa 269 jashtë vendbanimit. /alsat.mk