Gazetare: Ajnur Bafqari
Edhe një tjetër ditë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e gjen Maqedoninë e Veriut në gjendje jo të mirë. Çdo ditë regjistrohen shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa më të shpeshta janë rastet me gjuhën e urrejtjes.
Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, tha se ky fenomen është më i theksuar në periudha parazgjedhore, ndërsa nënvizoi se shpesh si pasojë e gjuhës së urrejtjes, regjistrohen edhe vepra penale, respektivisht incidente të prodhuara nga urrejtja.
“Vëretjet tona janë në drejtim të njëjtë, pra në raport me gjuhën e urrejtjes, për çka akoma nuk ka luftë energjike, sepse ne çdo ditë në platformën tonë të internetit regjistrojmë numër të madh të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Nga ana tjetër kemi bilans prej 5 ose 6 aktgjykime për gjuhë të urrejtjes, që është vërtetë qesharake, duke pasur parasysh faktin se çdo ditë dikush është targetuar dhe është viktimë e gjuhës së urrejtjes, pavarësisht çfarë baze. Po ashtu në platformën online për vepra penale, incidente nga urrejtja, gjendja mbetet pothuajse e njëjtë, që është normale, duke pasur parasysh faktin se gjuha e urrejtjes i prodhon veprat penale nga urrejtja”, tha Uranija Pirovska, Drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit.
Sipas saj, në rritje është edhe numri i rasteve të vrasjes së grave, ku vetëm vitin e kaluar ishin regjistruar 4 raste te femicidit.
Ajo shtoi se në pothuajse të gjitha rastet e hulumtuara, viktima më herët e kishte denoncuar rastin, por institucionet nuk kanë reaguar në kohë.
“Maqedonia ballafaqohet me mbipopullim të burgjeve, me kushte jonjerëzore, kushte që në fakt paraqesin torturë, kushte që askush nuk do të duhej të rrijë e të mbajë dënimin me burg. Dënimi me burg duhet të sigurojë që i burgosuri ta kuptojë rëndësinë e asaj që e ka kryer, kjo nuk mund të ndodh në kushte në të cilat ato e mbajnë burgun”, u shpreh Uranija Pirovska, Drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit.
Të drejtat e njeriut shkelen edhe nëpër burgjet e vendit, ku sipas Pirovskës, përveç mbipopullimit të burgjeve, të burgosurit ballafaqohen me kushte çnjerëzore.
Drejtuesja e Komitetit të Helsinkit tha se interesi i aktorëve politik dhe personave relevant në vend, nuk është aspak i fokusuar ndaj të drejtave të njeriut, ndërsa institucionet nuk i përgjigjen në mënyrë kompetente shkeljes së këtyre të drejtave./ Alsat.mk



