Lideri i Partisë Demokratike Socialiste në pushtet në Mal të Zi, Milo Gjukanoviq ka deklaruar se Serbia e ka humbur luftën për Kosovën me politikën e gabuar në kaluarën dhe me konfliktin pamenduar me NATO-n n- vitin 1999.
Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të presionit nga Perëndimi por për shkak të bindjes se e vërteta duhet shikuar në sy dhe për shkak se ashtu i kontribuohet stabilitetit ë rajonit.
“Serbia e sotme nuk vendos për Kosovën, ajo vetëm e ka marrë faturën për disfatën e pësuar më herët”, ka vlerësuar Gjukanoviq.
Ai ka shtuar se sipas pikëpamjes së Malit të Zi,realiteti me Kosovën është i pandryshueshëm.
“Të gjithë ata që mendojnë se në ndërkohë janë përforcuar aq sa janë në gjendje ta ndryshojnë realitetin e pafavorshëm për Serbinë, vetëm sa e shpenzojnë kohën e qytetarëve të Serbisë”, citon “veçernje novosti” të ketë thënë Gjukanoviq.
Lider i PDS-së ka shtuar se Mali i Zi nuk do të kishte qenë mike më e madhe e Serbisë nëse, në kundërshtim me pikëpamjen e vet, do ta ushqente atë iluzion.
Ai ka thënë se serbët në Mal të Zi kanë po ato të drejta që kanë popujt tjerë në këtë vend.
“Liderët e opozitës, mbi shpinën e serbëve në Mal të Zi, ia japin vetes rëndësinë që nuk e kanë, në radhë të parë duke u paraqitur si përfaqësues ekskluzivë të interesave të serbëve në Mal të Zi gjë që, thjesht, nuk është ashtu”, ka thënë.
Ai ka shtuar se liderët partiakë serbë po i sakrifikojnë interesat e popullit serb në Mal të Zi.
Milo Gjukanoviq është kandidat për kryetar të Malit të Zi në zgjedhjet presidenciale që zhvillohen më 15 prill.