Mediet serbe raportojnë se zyrtarë të Listës Serbe janë takuar me shefin e zyrës për Kosovën në Beograd, Marko Gjuriq.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojçiq.
Pas konsultimeve me Gjuriq, thuhet se Lista Serbe nuk dëshiron që të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe është e gatshme t’i bojkotojë institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjuriq ka reaguar ashpër kundër të gjitha atyre që i ka thënë kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin serb N1.
Kurti ka ndërruar qëndrim duke thënë se do i pranojë anëtarët e Listës Serbe në qeveri, por që do i trajtojë ata ndryshe prej të tjerëve, dhe se nuk do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës.
“Fakti se njëri prej ministrave duhet të jetë një serb nuk do të thotë se ata do jenë pjesë e koalicionit, por është vetëm një obligim i shkruar në Kushtetutë”, shpjegoi Kurti.
Gjuriq ka thënë se Beogradi dhe Lista Serbe nuk pranojnë kësi trajtimi.
“Ata nuk do të kërkojnë asgjë nga askush. Ata nuk do të bëjnë asnjë marrëveshje koalicioni. Përveç nëse Kurti ndërron qëndrim për 360shkallë, apo 180 shkallë nga ajo që ka thënë më herët”
Ky ndryshim sipas Gjuriqit nënkupton krijimin e Asosacionit të komunave serbe, të cilën Kurti ka thënë se nuk ka asnjë gjasë të krijohet në qeverisjen e tij.
Kurti kishte përmendur më herët faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur kundër këtij vendimi dhe se asnjë ankesë e vetme nuk kishte ardhur nga serbët e Kosovës.
Sipas Gjuriqit kjo nuk është e vërtetë dhe se ka pasur protesta të organizuara nga Lista Serbe në komunat me shumicë serbe.
Tutje Gjuriq thotë se reciprociteti ndaj Serbisë nënkupton një ndalesë të plotë për produktet serbe, veturat, dokumentet personale si dhe çdo lloj qarkullimi ekonomik dhe ligjor.
Në takimin me Listën Serbe ishte i pranishëm edhe i kërkuari nga institucionet e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojçiq.
Ai ka kohë që nuk ka shkelur në territorin e Kosovës për shkak se për të prokurorët kanë lëshuar një urdhërarrest.