Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i është përgjigjur ftesës së Kryeministrisë për zhvillimin e një tryeze dialogu për pagat e magjistratëve, duke argumentuar se kjo çështje nuk mund të jetë më objekt dialogu.
Në përgjigjen e tij, ai thekson se ligji i ri për pagat tashmë i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese dhe se kjo rrethanë ndikon si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut.
Sipas tij dialogu për pagat mund të jetë efektiv vetëm pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.
“Pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, thuhet në përgjigjen e Sadushit.
Megjithatë, kreu i Gjykatës së Lartë shprehet i gatshëm për një dialog më të gjerë ndërmjet institucioneve, duke e zhvendosur fokusin te funksionimi dhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë.
“Drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë. Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar. Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër”.
The post Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në dialogun me kryeministrin Rama për pagat, Sokol Sadushi: Çështja i takon Gjykatës Kushtetuese appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



