Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka kthyer në rivlerësim tenderin për “Shërbime të hotelerisë së Kuvendit të Kosovës”, të cilin ky institucion e kishte anuluar pasi që kishte vlerësuar se të gjashtë operatorët ofertues kishin ofruar çmime që nuk përkojnë me çmimet e tregut.
Kuvendi ka vlerësuar se çmimi 0.50 euro për file peshku, 0.40 euro për 200 gramë mushkri viçi, 0.50 euro për shpageti boloneze, 0.10 euro për kapuçino, 0.10 centë për qumësht me çokollatë (bambi)… të ofruara nga operatorët ekonomikë, nuk janë çmime reale të tregut. Për këtë, më 6 shkurt, kishte marrë vendim për anulimin e këtij tenderi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo, kundër këtij vendimi, dy operatorët ekonomikë “Shqiponja” dhe “Luzern” kishin deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, me pretendime se Kuvendi ka bërë shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për Prokurim Publik, me anulimin e tenderit në fjalë.