Gazetar: Bashkim Sulejmani
Një vjet e tre muaj burg për anesteziologun nga Tetova Valton Dervishin i cili një muaj më parë në rrjetin Tik-Tok publikoi drejtpërdrejtë pamje të grave në sallën e intervenimeve në repartin e gjinekologjisë. Ai u shpall fajtor për dy vepra, punë e pandërgjegjshme gjatë shërbimit dhe incizim i pa autorizuar. Anesteziologu pranoi fajin dhe kërkoi falje për veprën e kryer ndaj kolegëve dhe pacienteve. Dervishi po ashtu ka deklaruar se nuk ka pasur mendim për publikim të qëllimshëm të videos apo për përfitime materiale, ndërsa u zotua se vepra nuk do të përsëritet më.
Pasi pranoi veprën, gjykatësi i lëndës Nazif Iljazi, njoftoi tre dëshmitarët e ardhur nga Spitali klinik i Tetovës se nuk ka nevojë për dëshmi pas pranimit të fajësisë, ndërsa një orë më vonë, duke pasur parasysh edhe rrethanat lehtësuese, gjykatësi ka vendosur që i akuzuari Valton Dervishi, për veprën penale punë e pandërgjegjshme gjatë shërbimit, të dënohet me një vit burg ndërsa për veprën penale incizim i pa autorizuar, është dënuar me 5 muaj burg duke llogaritur edhe periudhën e kaluar në paraburgim. Mesatarja e dënimit të caktuar nga gjykatësi ishte 13 muaj burg.
Gjykatësi vendosi që deri në plotfuqinë e vendimit, anesteziologut ti zëvendësohet masa nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Anesteziologu Valton Dervishi, në datë 14 të muajt të shkuar, derisa ka qenë në ndërrim në repartin e intervenimeve në gjinekologji, ka publikuar video live në Tik Tok, në pamjet e të cilës, duken pacientet por edhe personeli mjekësor. Ky publikim alarmoi drejtuesin e Spitalit klinik të Tetovës, Pëllumb Vela dhe i njëjti rastin e denoncoi në Polici.
Pos dënimit me 1 vjet e tre muaj burg, anesteziologu Valton Dervishi për veprën e kryer u suspendua nga puna. Gjykata e nderit e Odës së Mjekëve për shtatë vitet e ardhshme ia mori edhe licencën për punë. Ndërkohë pas vendimit të sotëm gjyqësor, Oda e Mjekëve mund ta lë anesteziologun përjetë pa licencë për punë. /Alsat.mk