Gjykata hedh poshtë padinë, Baton Haxhiu humb betejën për 300 mijë euro

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë padinë për shpifje dhe fyerje të ushtruar nga Klan Kosova ndaj organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Sipas aktgjykimit të gjykatës, padia e mediumit Klan Kosova është e pa bazuar dhe në asnjë rast nuk është vërtetuar se ekzistojnë elemente të shpifjes dhe fyerjes të shkaktuara nga organizata YIHR kundrejt mediumit Klan Kosova.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Baton Haxhiu, drejtori i këtij mediumi, kishte kërkuar dëmshpërblim rreth 300 mijë euro.

Në maj të vitit 2010, organizata Youth Initiative for Human Rights (YIHR), kishte publikuar një raport të quajtur “State of Constriction”, në të cilin ishin publikuar edhe gjetje për kufizimin dhe raportimin e medieve, me konkretisht për skenën mediale të viteve 2008-2009 në Kosovë.

Klan Kosova si medium nacional ishte paraqitur në këtë raport si medium i cili e “favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës” gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009.

Një muaj më pas, më konkretisht në qershor të vitit 2010, Klan Kosova dhe drejtori i saj, Baton Haxhiu, kishin ngritur padi për shpifje dhe fyerje ndaj organizatës “YIHR”.

Paditësi pretendonte se ky publikim i kishte sjellë këtij mediumi humbje materiale nga marketingu dhe dëmtim të reputacionit, me ç’rast mediumi në fjalë dhe drejtori i saj kishin kërkuar dëmshpërblim për dëmin material dhe jo material në vlerë prej 285 mijë euro.

Pretendimet për shkaktim të dëmit material, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vlerësuar si të pa bazuara, ku dhe e ka refuzuar padinë e mediumit Klan Kosova dhe drejtorit Baton Haxhiu.

Në dispozitën e aktgjykimit të bërë më datë 26.04.2018, konstatohet se “Paditësi edhe pse ka pretenduar se e paditura ka shpifur dhe fyer në dëm të tij nga të cilat ka theksuar se i është shkaktuar dëm material mos lidhja e kontratave të marketingut, gjykata ka konstatuar se paditësi nuk ka mundur me asnjë provë ta argumentoj se ekziston një dëm i tillë, dhe se në veprimet e të paditurës ka ekzistuar një nga elementet e shpifjes dhe fyerjes”, thuhet ndër tjera në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata ka shqyrtuar edhe pretendimet e Klan Kosovës në lidhje me dëmtimin e reputacionit të këtij mediumi si dëm jo material të ndodhur pas publikimit të raportit të organizatës “YIHR”.

“Në rastin konkret gjykata ka vërtetuar se në raportin lëndor nuk ka pas rrënim të reputacionit për shkak të publikimit të bërë në faqen 18 të raportit lëndor, ku është thënia se paditësja “favorizon PDK”, kjo ngase ky ka qenë një opinion i autorit të këtij raporti dhe nuk mund të ketë kufizime nga asnjë autoritet, për opinione siç edhe parashihet në nenin 8 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,” thuhet në aktgjykim.

Prandaj gjykata duke u bazuar në faktet e sipërpërmendura konstatoi se kërkesëpadia e paditësit është e pa bazuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka obliguar paditësin, në këtë rast mediumin Klan Kosova që t’i mbuloj shpenzimet e procedurës kontestimore të paditurës, organizatës “YIHR”, në shumë prej 1.019.20 euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme