Pa aktgjykim dënues ka përfunduar rasti në të cilin për korrupsion kanë qenë të akuzuar tre ish-menaxherë të Telekomit. Ky ka qenë një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave në regjistrin e Prokurorisë, si rast i korrupsionit i nivelit të lartë.
Të hënën janë liruar nga të gjitha akuzat për korrupsion tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, shkruan sot Koha Ditore.
Prokuroria Speciale, sipas trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka ngarkuar me akuza për korrupsion pa prova të mjaftueshme tre ish-menaxherët e ndërmarrjes publike “Telekomi”.
Në një arsyetim më të gjatë se zakonisht, trupi gjykues thotë se në seanca të tilla, përveçqë janë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale, është vënë në pikëpyetje edhe mënyra se si është ngritur kjo aktakuzë. Përveçqë trupi gjykues ka thënë se asnjë akuzë nuk është mbështetur në prova, e kanë theksuar edhe se çdo shkelje dhe veprim i mundshëm për këtë marrëveshje i takon raportit juridiko-civil e jo fushës penale, siç ka pretenduar Prokuroria Speciale.
Sipas sistemit ligjor, Prokuroria e Shtetit merret vetëm me ndjekjen e veprimeve inkriminuese, ndërsa çështjet e mosrealizimit të marrëveshjeve sipas dakordimit mes palëve nëse për këtë nuk ka inkriminim të asnjë pale i takojnë Departamentit Administrativ e Civil të gjykatave.
Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, për disa sekonda ka mbajtur në këmbë publikun e të akuzuarin tek sa po e lexonte vendimin për pafajësinë e të akuzuarve. Siç është praktikë, publiku po qëndronte në këmbë deri sa Shala kumtoi vendimin e tij dhe të kolegëve se nuk kanë gjetur prova të fajësisë për tre ish-zyrtarët publikë. Pas kësaj kërkoi nga të pranishmit që të ulen për shkak që do ta arsyetonte vendimin e këtij trupi gjykues.
Shala ka lexuar arsyetimin me gjatësi disa faqe. Një nga arsyet kryesore që, sipas tij, e ka dërguar trupin gjykues deri te ky vendim është mungesa e provave të besueshme që të njëjtit kanë kryer ndonjë nga veprat e kapitullit të korrupsionit për të cilat akuzoheshin nga Prokuroria Speciale.
Një arsyetim i gjatë e që përjashton të gjitha mundësitë sipas gjykatës, që këta zyrtarë të mund të lidhen me vepra penale që lidhen me korrupsionin. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)