Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar shtatë deputetët e VV’së që hodhën gaz lotsjellës në seancën e të mërkurës, gjatë votimit të Demarkacionit.
Xhelal Sveçla, Sali Zyba, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani dhe Arbërie Nagavci, sipas gjykatës nuk kanë nevojë të qëndrojnë në paraburgim, e as të ngarkohen me ndonjë mas tjetër, pasi nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Ja njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Prishtinë , Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D. M, XH. S, S. Z, F. P-D dhe V.R, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit secili veç e veç kanë kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të pandehurit L.A për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe kundër të pandehurës A.N për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk ka qenë e nevojshme caktimi i masës së paraburgimit duke qenë se përveç kushtit të përgjithshëm se ekziston dyshimi i bazuar se tani të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat është kërkuar caktimi i masës se paraburgimit, nuk përmbushen asnjëra nga kushtet konkrete qoftë veç e veç qoftë të gjitha së bashku për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.
Kjo për faktin se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale pasi që të njëjtit i kanë premtuar Gjykatës se do të përgjigjen në të gjitha ftesat që do t’ju dërgohen nga kjo Gjykatë dhe po ashtu nuk ekziston as rreziku i përsëritjes se këtyre veprimeve nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë çështje penale.
Shtatë të pandehurit janë arrestuar me dt.21.03.2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak se kanë penguar rrjedhën normale të seancës.