Superekspertizat e përgatitura nga dy ekipe të inxhinierëve mekanikë dhe të komunikacionit do të shqyrtohen në seancën e sotme për rastin “Laskarca” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, pasi në seancën e kaluar arriti ekspertiza nga Byroja e ekspertizës, që u bë me urdhër nga Gjykata në dhjetor të vitit 2021 dhe i është dorëzuar prokurorit dhe të pandehurve nëpërmjet mbrojtësve të tyre.
Në seancën e kaluar gjykata mori vendim, që pas pëlqimit të të gjitha palëve, për shkak të ekonomizimit dhe përshtatshmërisë së procedurës, të lexohen të gjitha provat e deritanishme dhe të vazhdojë procedura sot me superekspertizat.
Superekspertiza që Gjykata e urdhëroi në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga fakultetet e shtetit, me shpjegim se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ndërsa Fakulteti Teknik në Manastir, ndërkohë, bëri të ditur se kërkesën e kanë kthyer për shkak se ekspertët e tyre të licencuar mekanikë janë vetëm ekspertë të energjisë dhe nuk mund të kryejnë ekspertizë në mjete motorike. Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se kanë kontaktuar Universitetin e Shtipit dhe Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion, të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë për ekspertizë ligjore, e cila ka aftësinë të formojë ekip ekspertësh të licencuar për superekspertizë.
Procesi gjyqësor për aksidentin, i nisur në shtator të vitit 2019, e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.