Gjykata s’arrin të sigurojë praninë e 15 dëshmitarëve në rastin “Medicus”, lexohen deklaratat e tyre

Në pamundësi për të siguruar prezencën në gjykimin e rastit “Medicus”, të 15 dëshmitarëve nga SHBA, Ukraina e Izraeli, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim që deklaratat e tyre të konsiderohen të lexuara.
Në rastin e kthyer në rigjykim, mjeku Lutfi Dërvishi, akuzohet për krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore, ndërsa anesteziologu Sokol Hajdini, akuzohet për lëndim të rëndë trupor.

Më 1 dhe 13 shkurt të këtij viti, kishin dështuar të mbaheshin seancat në këtë rast, për shkak se nuk ishte arritur që të sigurohet prania e këtyre dëshmitarëve.

Në seancën e mbajtur të martën, kryesuesja e trupit gjykues, gjykatësja Francheska Ficher, ka deklaruar se lidhur me dëshmitarët e prokurorisë, dëshmitarin e mbrojtur PM, nga Ukraina, Jozef Koralasvili nga SHBA, dhe ato dëshmi të dhëna nga 15 dëshmitarët izraelit, V1, V2, V3, M1,M2, M3, T1, T2,T3, T4, A1, A2, A3, A4, B1, të dhëna në qershor të vitit 2012, të konsiderohen të lexuara.

“Trupi gjykues do të preferonte që të dëgjoheshin të gjithë dëshmitarët edhe njëherë. Gjykata u mundua që të sigurojë të gjithë dëshmitarët nga SHBA, Ukraina e Izraeli. Dëshmitarët e propozuar janë dhurues, pranues apo familjar të tyre dhe dëshmia e tyre nuk mund të neglizhohet, palët kishin mundësi që t’i bëjnë pyetje të gjithë këtyre dëshmitarëve. Gjykata nuk ka marrë as një informacion për ndonjë indikacion që ata do të mund të arrihen në pyetje. Duke marrë parasysh ritmin e këtij rasti për 10 vjet, të drejtat e mbrojtës, interesin e viktimave, trupi gjykues vendosi t’i balancoi këto dhe vendosi që në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale që dëshmitë e dëshmitarëve të lexohen dhe të futën në procesverbal”, ishte vendimi trupit gjykues.

Sipas kryesueses së trupit gjykues, deri te këto vendime kishin ardhur pas dështimeve që kishte pasur Ministria e Drejtësisë së Kosovës që në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, të sigurojë pjesëmarrjen e këtyre dëshmitarëve.

Trupi gjykues, sipas gjykatëses Ficher ka vendosur po ashtu që deklaratat e Osman Kryeziut, më 19 tetor 2011, Osman Mehmetit, më 20 tetor 2011, Ramdan Ahmetit, më 20 tetor 2011, Selman Bobiqi, më 25 tetor 2011, Shemsi Hajdini, më 25 tetor 2011, Shaban Gyra, më 9 nentër 2011, Bekim Shasivar, më 9 nëntor 2011, Faik Behrami, më 9 nëntor 2011, Haxhi Krasniqi, më 10 nëntor 2011 dhe Hysni Shala, 5 prill 2011, të konsiderohen të lexuara.

Trupi gjykues, po ashtu vendosi që deklarata e ish-deputetit, Shaip Muja, e dhënë më 19 prill 2011, në prokurori, pas ngritjes së aktakuzës, të shpallë të papranueshme.

Ndryshe, trupi gjykues vendosi, që të mos e aprovoi propozimin e mbrojtësit të Lutfi Dervishit, avokatit Valon Hasni, që në këtë rigjykim të dëgjoheshin edhe katër dëshmitarët Kasman Jurianatoljovic nga Ukraina, Slusjasuc Jermenrumanovic nga Ukraina, Avika Sander dhe Boris Jomav, me nënshtetësi izraelite.

Para se trupi gjykues t’i njoftonte palët për këto vendime, gjatë seancës të kësaj të marte, u dëgjua ekspertja Nadire Ibrahimi, nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF).

Ibrahimi, e cila theksoi se është specialiste e lartë e dokumenteve dhe dorëshkrimeve në AKF, tha se AKF-ja, ka pranuar një urdhëresë nga gjykata që në këtë rast të përpilojë një raport rreth disa dokumenteve kontestuese.

”Më 16 janar 2018, në Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka ardhë edhe ky rast që më është nda mua nga shefi i laboratorit për dokumente dhe dorëshkrime dhe bazuar në urdhëresën e rastit në fjalë, në pyetjet që janë kërku nga gjyqtarja, nga dokumentet që na ka ofru në laborator, nga ne është kërkuar, a është nënshkrimi në dokumentin A, i shkruar me dorë, i stampuar apo i shtypu, baznuar në analizën që e kemi ne si ekspert, kemi konluduar se ky nënshkrim është i shkruar me laps kimik me ngjyrë të kaltër. Pyetja e dytë ka qenë a është nënshkrimi në dokumentin A, shkrim i Lutfi Dërvishit, a i takon ky nënshkrim atij, ne si ekspert, kemi analizu nënshkrimin kontestues që është në dokumentin, janë ekzaminuar edhe nënshkrimet në dokumentet D,I, J, K, L dhe M, dhe këto nënshkrime janë krahasuar në mes vete dhe vijmë në rezultatin se këto nënshkrime nuk përputhën në mes vete, që do të thotë nuk janë nënshkruar nga personi i njëjtë”, tha ekspertja.

Sipas Ibrahimit, ata si për Lutfi Dervishin, pyetje të njëjtë kishin edhe për disa dokumente me nënshkrimin e Arban Dervishit dhe në bazë të krahasimeve të tyre është vërtetuar se janë nënshkruar nga i njëjti person.

Ndryshe, seanca e radhës është caktuar më 16 prill 2018, në të cilën seancë do të dëgjohet eksperti Flamur Blakaj.

Po ashtu janë caktuar që të mbahen seancat e radhës më 23, 24, 25, 26 dhe 30 prill, si dhe 2, 3,22, 23 dhe 24 maj 2018.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty./Betimiperdrejtesi/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme