Gjykata Speciale afër emërimit të gjyqtarëve, por ende nuk ka ngritje të aktakuzave

Gjykata Speciale e cila do të merret me gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK-së nën dyshimin se këta të fundit kanë kryer krime lufte, ende nuk është gati për të ngritur aktakuzat e para.

Stafi i nevojshëm për t’u kompletuar për dhomat e specializuara të Kosovës dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar ende është në vazhdim e sipër, raporton lajmi.net.

Marrëveshja mes Holandës dhe Kosovës e cila hyri në fuqi më 1 janar të 2017-ës u mundëson Dhomave të Specializuara të Kosovës kryerjen e gjykimeve në Holandë.

Pavarësisht se themelimi i një gjykate të tillë pati kundërshtime e përplasje mes partive në pushtet dhe atyre opozitare, është vetëm çështje kohe kur kjo gjykatë do të fillojë punën.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Avis Benes, ka thënë për lajmi.net se rekrutimi i stafit të nevojshëm për Dhomat e Specializuar dhe Prokurorisë Speciale është aktualisht në vazhdim e sipër. Ajo bën të ditur se cikli i fundit i aplikimeve për pozicione të ndryshme është mbyllur më 6 janar.

“Në kuadër të momenteve me rëndësi, hapi tjetër i rëndësishëm për Dhomat e Specializuara do të jetë emërimi i gjyqtarëve ndërkombëtar sipas listës”, ka deklaruar ajo.

Benes po ashtu njofton se pas emërimit, një nga detyrat e para të gjyqtarëve do të jetë miratimi i  një dokumenti të rëndësishëm për gjykatën, Rregullat e Procedurës dhe Provave (RPE), e cila është për të rregulluar procedurat para Dhomave të Specializuara.

“Pas kësaj, Rregullat e Procedurës dhe Provave duhet t’i referohen Dhomës se Specializuar të Gjykatës Kushtetuese e cila do të ketë 30 ditë për t’i shqyrtuar ato”, u shpreh Benes për lajmi.net.

Ndërkaq, ajo nuk tregoi se kur, apo më saktë cilin muaj pritet që të ngritën aktakuzat e para për hetimin dhe ndjekjen penale tё krimeve tё rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare tё kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë mё 1998, 1999 dhe 2000.

Ajo sqaroi se në lidhje me hetimin apo akuzat, të kontaktojmë direkt me Prokurorin e Specializuar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs janё pjesё e sistemit gjyqёsor tё Kosovёs. Dhomat përkojnë me çdo nivel të sistemit të gjykatave në Kosovë, e të cilat u formuan nё bazё tё Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit tё miratuar nga Kuvendi i Kosovёs pёr gjykimin e pretendimeve të paraqitura nё raportin e Kёshillit tё Evropёs tё vitit 2011, pёr shkelje tё rёnda tё sё drejtёs ndёrkombёtare.

Kuvendi i Kosovës më 23 prill të 2014-ës, me 89 vota për, 22 kundër dhe dy abstenime miratoi themelimin e Gjykatës Speciale që do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së./Lajmi.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme