Gjykata Speciale me marrëveshje të përkohshme me Holandën

Gjykata Speciale për Kosovën mund të nis punën me një marrëveshje të përkohshme për selinë, deri në miratimin e Marrëveshjes me Kosovën nga Parlamenti i Holandës, i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë ambasadorja holandeze në Prishtinë, Gerrie Willems.

Marrëveshja për Gjykatën Speciale me vendin mikpritës, Holandën, nuk është miratuar ende nga Parlamenti holandez, për shkak të, siç thuhet, procedurave që duhet të ndiqen nga vet shteti ku do të vendoset selia e gjykatës.

Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, e paraparë të funksionojë me ligjet e vendit, por me seli në Hagë të Holandës, ende nuk i ka përfunduar çështjet e kompletimit, përveç marrëveshjes, as edhe ato të personelit profesional.
“Parlamenti i Holandës duhet ende ta miratojë marrëveshjen e mikpritësit për selinë. Kohëzgjatja e procedurave parlamentare është e përcaktuar nga vetë parlamenti. Deri atëherë planifikuesit e projektit do të punojnë mbi bazën e një marrëveshjeje të përkohshme për selinë, që nuk kërkon miratimin parlamentar të Holandës”, tha ambasadorja holandeze Willems për Radion Evropa e Lirë.

Bashkimi Evropian ka nisur prej më shumë se një jave një njoftim tek vendet anëtare dhe shtetet e tjera kontribuuese për nominimin e kandidatëve të kualifikuar për president dhe për regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Zyra e shtypit e Zyrës së BE-së në Prishtinë, përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se njoftimi publik është i hapur deri më 9 shtator, duke “i hapur rrugën procedurës së përzgjedhjes, bazuar në Ligj”.

“Procesi i ndërlidhur me Dhomat e Specializuara është duke vazhduar dhe ato janë operacionale sipas provizioneve të Marrëveshjes së Përkohshme me shtetin mikpritës. Megjithëkëtë, asnjë aktivitet ligjor nuk mund të fillojë përpara se Marrëveshja me Shtetin mikpritës të jetë nënshkruar. Një numër i hapave logjistik dhe administrativ janë ndërmarrë, përfshirë edhe thirrjen për kontributin për një numër të posteve në muajin maj. Procesi i ardhshëm rekrutues pritet të zhvillohet gjatë verës”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Infrastruktura juridike e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për rivendosjen e kësaj gjykate në Holandë.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës konfirmohet se Kosova ka kryer obligimet e saj për fillimin e punë se Gjykatës Speciale.

“Republika e Kosovës i ka nxjerrë të gjitha aktet normative që nevojiten për fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Si ligji për Gjykatën Speciale, ashtu edhe marrëveshja përkatëse me Qeverinë e Holandës për selinë e Gjykatës Speciale janë ne fuqi. Veprimet e mëtejme, siç janë nxjerrja e rregullave të procedurës, janë në kompetencë të Gjykatës Speciale”, është thënë në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës penale ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, në një përgjigje të mëhershme ka thënë se Gjykata Speciale për krime luftë në Kosovë do ta ushtrojë funksionin e vet sipas konventave apo të drejtës ndërkombëtare, por ajo do t’i gjykojë kryerësit eventual të krimeve edhe në bazë të ligjit i cili ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se janë kryer ato krime ( 1998- 2000).

Sipas tij, Gjykata Speciale, juridikisht dhe formalisht konsiderohet Gjykatë Penale e Kosovës, por në esencë ajo është gjykatë penale ndërkombëtare, transmeton REL.

“Të gjitha mandatet, juridiksionin, pushtetin, prerogativat i ka sikurse Gjykata Penale ndërkombëtare, si Tribunali i Hagës, etj. Kjo gjykatë dhe ligjet e kësaj gjykate, ligji për themelimin e kësaj gjykate dhe marrëveshja, e cila është lidhur ndërmjet Kosovës dhe Holandës, dispozitat e kësaj gjykate, janë dispozita, ligje dhe norma me karakter ndërkombëtar. Ato kanë fuqi juridike më të madhe se ligjet e Kosovës”, tha Salihu.

Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme