Gjykatësi i Listë së Zezë Amerikane, Enver Bexheti është shkarkuar nga detyra

Gazetar: Suad Bajrami

Këshilli Gjyqësor në seancë të mbyllur ka shkarkuar gjyqtarin kundërthënës të Apelit Enver Bexheti, i cili para pesë muajsh u vendos në listë të zezë të SHBA-së bashkë me ish zëvendëskryeministrin tanimë të arratisur Artan Grubi, për shkak të ekzistimit të provave se është i përfshirë në aferë korrupsioni për të ndihmuar ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov që të shpëtojë nga drejtësia. Informacioni për shkarkimin e tij, në mënyrë të paligjshme ka rrjedhur në opinion nga Këshilli Gjyqësor, duke e pasur parasysh se vendimi ende nuk është i plotfuqishëm, pasi Bexheti ka të drejtë ankimimi para Këshillit për Ankesa në Gjykatën Supreme. Për këtë, nga Këshilli Gjyqësor nuk japin detaje për arsyet e vendimit.

Procedura deri në vendimin final për shkarkimin ose jo të Bexhetit nga pozita e gjyqtarit, sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, ka disa faza. Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor, Bexheti mund ta dorëzojë ankesë në afat prej 8 ditësh në Këshillin për Ankesa të Gjykatës Supreme, i cili është i përbërë nga 9 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme dhe që zgjidhen me short.

Këshilli për Ankesa, pasi ta pranojë ankesën eventuale të Bexhetit, në afat prej 10 ditësh duhet të mblidhet, ndërsa pas mbledhjes, në afat prej 30 ditësh duhet të marrë vendim. Këshilli, në këtë rast mund ta konfirmojë ose shfuqizojë vendimin e Këshillit Gjyqësor. Në rast se shfuqizohet vendimi i Këshillit Gjyqësor, atëherë përsëritet procedura, në rast se konfirmohet, atëherë gjykatësi nuk ka të drejtë ankese dhe automatikisht vendimi për shkarkimin e Bexhetit bëhet i plotfuqishëm. Sipas përllogaritjeve të afateve kohore në procedurë, deri te vendimi final duhet të pritet më së voni 48 ditë.

Pas futjes në listën e zezë amerikane, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur lëndë për të shqyrtuar veprimet korruptive të Bexhetit, ashtu siç kishte njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lënda, ende nuk ka epilog. Nga organi i akuzës theksojnë se po mblidhet dokumentacion dhe po merren në pyetje dëshmitarë.

Emri i Enver Bexhetit jo pak herë është lakuar në kontekst negativ nëpër raportet ndërkombëtare. Veprimet e tij për mbajtjen e lëndëve në sirtarë edhe para se të futet në listën e zezë amerikane, u përmenden në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Për veprimet e tij, të cilat e shpëtuan ish drejtorin e shërbimit sekret nga burgu, në nëntor të vitit kaluar Bexheti u gjobit nga Këshilli Gjyqësor me vetëm 20 për qind të pagës për gjashtë muaj.

Bexheti duke shfrytëzuar lidhjet politike tentoi të bëhet gjykatës suprem, por përpjekja e tij nuk kaloi në Këshillin Gjyqësor, ku më pas në formë që në opinion u interpretua si hakmarrje, krahu që e mbështeste Bexhetin për gjykatës suprem, organizoi puç kundër ish kryetares Vesna Dameva. Derisa ushtroi detyrën e gjykatësit të Apelit, ai kishte udhëhequr lëndët më të mëdha kundër ish funksionarëve të dënuar, ndër to rastin “Target-Fotesa”, ndërsa për zvarritjen e lëndës “Thesari” e kishte mbështetjen edhe të koleges së tij Lirije Elezi. Ruajtja në sirtarë e këtyre veprave kishte bërë që Mijallkov pavarësisht se i dënuar me shumë vite burg për disa vepra, të qëndronte në liri dhe të tregtonte me drejtësinë./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme