Gjykimi për Koçanin, pritet vendimi i Gjykatës së Apelit në Shtip

Gazetar: Mihajllo Donev

“Ende nuk ka vendim, akoma pritet që Gjykata e Apelit në Shtip të japë përgjigje nëse gjykata në Koçan me pesë gjyqtarë i plotëson kushtet për të shqyrtuar aktakuzën për zjarrin në klubin e natës “Puls”, raporton Mihajllo Donev, gazetar.

Gjykata e Apelit në Shtip fillimisht duhet të marrë mendim nga Prokuroria e Lartë Publike në Shtip dhe më pas të vlerësojë nëse lënda do të trajtohet nga gjykata e Koçanit apo do të zhvendoset në një Gjykatë më të madhe. Kryetari i Gjykatës së Apelit në Shtip, Toni Delev deklaroi për Alsat se kërkesa nga Koçani tashmë është dorëzuar te Prokuroria e Lartë dhe se sapo të merret mendimi, do të ketë vendim. Megjithatë, sot as Delev e as Prokuroria e Lartë në Shtip nuk u përgjigjën në thirrjet tona, ndërsa në faqen zyrtare të Apelit të Shtipit nuk figuron asnjë vendim lidhur me kërkesën e gjykatës së Koçanit. Nëse Gjykata e Apelit në Shtip vendos se gjykata e Koçanit nuk i plotëson kushtet, ekzistojnë dy opsione: i pari është që Këshilli Gjyqësor të delegojë gjyqtarë në Koçan dhe aktakuza të vlerësohet atje, ndërsa opsioni i dytë është që rasti të zhvendoset në një gjykatë më të madhe. Sipas kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, teorikisht është e mundur që këshilli të caktojë gjyqtarë të ri në Gjykatën Themelore të Koçanit, por për Alsat shpjegon se për shkak edhe të kapaciteteve të vogla hapësinore, më mirë do të ishte që ky rast të zhvendoset në Gjykatën Penale në Shtip ose në Shkup. Megjithatë, përgjigje për të gjitha këto çështje ende nuk ka në opinionin, edhe pse kryetarët e Gjykatës së Apelit në Shtip, Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme pretendojnë se janë në koordinim të ndërsjellë. Hetimi i prokurorisë përfundoi më 13 qershor, kur prokurori Ljupço Kocevski njoftoi se të akuzuarit kryesorë në rast janë pronari dhe menaxhmenti i klubit të natës “Puls”. Në tragjedinë ku humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 u plagosën, janë të akuzuar edhe ish-ministrat e ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish-sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë Razmena Çekiç Duroviç, pesë të punësuar në Ministri, tre ish-kryetarë të komunës së Koçanit, si dhe katër ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Hetimi përfshiu edhe drejtorin e agjencisë që e siguronte objektin dhe katër të punësuar, ndërsa është ndërprerë për 13 persona, prej të cilëve një ndërkohë ka ndërruar jetë, ndërsa anëtari i grupit DNK, Vladimir Blazhevski, vazhdon trajtimin mjekësor. Për 11 persona, prokuroria vlerësoi se nuk ka prova të mjaftueshme. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme